​Dita e Gruas Rurale, Muja: Vetëm 5 për qind e pronave në Kosovë janë në pronësi të grave

​Dita e Gruas Rurale, Muja: Vetëm 5 për qind e pronave në Kosovë janë në pronësi të grave

Written by

in

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë është organizuar panair me rastinin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas Rurale, i organizuar nga EcoKosWomen dhe Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës.

Në këtë aktivitet u vu në pah roli dhe kontributi i grave rurale në bujqësi, blegtori, prodhimin dhe përpunimin e produkteve ushqimore, si dhe në zhvillimin e bizneseve familjare.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Naser Bajraktari, tha se puna e grave rurale është e rëndësishme për zhvillimin ekonomik, por shpesh nuk vlerësohet sa duhet.

“Gratë rurale kanë një rol të pazëvendësueshëm, jo vetëm në sektorin e prodhimit të qumështit dhe blegtorisë, por edhe në bujqësi, në përpunimin e produkteve ushqimore, në bizneset familjare dhe në shumë veprimtari të tjera që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik.E dimë se puna e tyre shpesh është e vështirë dhe nuk vlerësohet gjithmonë sa duhet. Prandaj, si Shoqatë e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, jemi të përkushtuar të vazhdojmë mbështetjen për gratë rurale, duke promovuar punën e tyre dhe duke krijuar mundësi për fuqizimin dhe zhvillimin e tyre ekonomik”, ka deklaruar Bajraktari.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Armend Muja, tha se 15 për qind e përfituesve në skemat e Ministrisë janë gra, ndërsa si një nga barrierat kryesore përmendi çështjen e pronës.

“Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, 15 për qind e përfituesve në skemat tona janë gra. Por një nga problemet që ky komunitet ballafaqohet është prona. Siç e dimë, vetëm rreth 5 për qind e pronave në Kosovë janë në pronësi të grave. Kjo është barriera e parë strukturore, të cilën dëshirojmë ta tejkalojmë, dhe nga viti tjetër ministria e Bujqësisë do te ndërmarr masa afirmative qe e vlerësojnë ketë si sfidën numër një”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, drejtoresha e Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, Jeta Rafuna, theksoi se gratë fermere janë shtyllë e rëndësishme e bujqësisë dhe zhvillimit ekonomik.

“Gratë fermere janë shtyllë e rëndësishme e bujqësisë, e zhvillimit ekonomik dhe e mirëqenies së shoqërisë sonë. Me punën, përkushtimin dhe qëndrueshmërinë e tyre, ato kontribuojnë çdo ditë në prodhimin vendor, sigurinë ushqimore, ruajtjen e traditave dhe mirëqenien e familjeve e komuniteteve të tyre. Megjithatë, kontributi i grave në bujqësi duhet të shoqërohet me më shumë mundësi, me më shumë mbështetje konkrete dhe qasje më të lehtë në investime, teknologji moderne dhe tregje” ,tha Rafuna.

Në panair morën pjesë edhe gra fermere e pronare të bizneseve të vogla, të cilat prezantuan dhe shitën produktet e tyre. Ato folën për sfidat me të cilat përballen gjatë punës së tyre, por edhe për përpjekjet për zhvillimin dhe promovimin e produkteve vendore.

Ardita Kastrati ka treguar vështirësitë me të cilat ballafaqohen.

“Ka vështirësi, ne jemi pak të varur prej kushteve atmosferike, vështirësitë janë në çdo lloj pune qe e bene por ne bujqësi janë me te shpeshta”- tha Kastrati

Ndërkaq, Njomza Bata tregoi se biznesin e ka nisur vetëm para një viti dhe se përmes panaireve po përpiqet të promovojë produktet e saj dhe ta zhvillojë më tej aktivitetin.

“Ja kemi nis qetash jemi fillestare, qe një vit jo me shume, është fillimi i biznesit”, tha Bata

Ndërsa Ganimete Sejdiu, e cila është përfituese e një sere nga Komuna e Podujevës, tha se ka marrë pjesë në panaire dhe trajnime të ndryshme, ndërsa së fundmi ka përfituar edhe një grant që, sipas saj, pritet t’ia lehtësojë punën.

“Jam përfituese e një sere 3 ari prej komunës së Podujevës, marrë pjesë në panaire te ndryshme dhe trajnime, vështirësia është e bollshme, tash e kam fitu një grand “woman for woman” besoj që ka me ma lehtesu punen”- tha Sejdiu

Aktiviteti ka vazhduar gjatë tërë ditës në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku gratë rurale po prezantojnë produktet e tyre dhe po promovojnë punën që bëjnë në bujqësi, blegtori dhe përpunimin e produkteve ushqimore. /KP/