“Ditët e Nëntorit” rikthehet në Gjakovë – katër netë me muzikë e traditë nga Gjakova, Berati, Ulqini dhe Korça

“Ditët e Nëntorit” rikthehet në Gjakovë - katër netë me muzikë e traditë nga Gjakova, Berati, Ulqini dhe Korça

Written by

in

Gjakova do të mirëpresë edicionin e tretë të festivalit “Ditët e Nëntorit”, i cili do të mbahet nga 20 deri më 28 nëntor. Organizuar nga Fondacioni për Gjakovën, festivali sjell katër mbrëmje koncertale, panele diskutimi, ekspozitë dhe aktivitete që ndërthurin muzikën, trashëgiminë kulturore dhe dialogun shoqëror.

Programi koncertal hapet më 20 nëntor me “Natën Gjakovare”, ku do të interpretojnë Edi Furra, Ardian Këpuska, Hyda Osa dhe Orkestri Lirikët. Më 21 nëntor, “Nata e Beratit” sjell grupin “Pulsi i Beratit”, ndërsa më 27 nëntor, “Nata e Ulqinit” prezanton SHKA “Olcinium”. Festivali përmbyllet më 28 nëntor me “Natën e Korçës”, me Eli Farën dhe Ansamblin “Skënderbeu”.

Të katër koncertet do të mbahen në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, duke filluar nga ora 20:00.

Pjesë e këtij edicioni janë edhe panelet me Fatos Lubonjën, Lucy Duran dhe Edit Pulën, Vllaznim Xhihën e Veton Surroin. Programi përfshin gjithashtu debate historike e kulturore mes nxënësve të shkollave të mesme nga Kosova dhe Shqipëria, duke krijuar hapësirë për shkëmbim mendimesh dhe përfshirjen e të rinjve.

Më 20 dhe 21 nëntor, publiku do të mund të vizitojë ekspozitën “Veshje origjinale të nuseve shqiptare”, nga Eralda Baze dhe grupi. Ndërkaq, më 27 nëntor do të shfaqet premiera e filmit “Cigarja e fundit” nga Enis Murati, ndërsa më 28 nëntor do të lansohet platforma digjitale e Shtëpisë së Durimit, me një tur virtual të Muzeut Historik të Familjes Qerkezi 1999.

Fondacionit për Gjakovën ka potencuar se të gjitha të ardhurat nga festivali do të shkojnë për promovimin e turizmit kulturor në Çarshinë e Madhe të Gjakovës.

Biletat mund të rezervohen online përmes platformës: appfondacionipergjakoven.org. /Telegrafi/