Dogana e Kosovës ka zbuluar mallra të padeklaruara, me vlerë të vlerësuar rreth 10 mijë e 300 euro, gjatë kontrollit të një dërgese në Zyrën e Brendshme Doganore në Vërmicë.
Sipas njoftimit të Doganës, parregullsitë janë identifikuar gjatë procedurave të zhdoganimit, pas analizës së riskut që çoi në përzgjedhjen e dërgesës për kontroll fizik.
Gjatë verifikimit të dokumentacionit dhe kontrollit të mallrave, zyrtarët doganorë kanë konstatuar mospërputhje mes sasisë së deklaruar dhe asaj faktike, përkatësisht mallra që nuk ishin deklaruar.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin e parregullsive doganore, mbrojtjen e interesave financiare të vendit dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi.
Burimi: Dukagjini
