DOKU.TECH ka nisur edicionin e sivjetëm në Prishtinë, duke mbledhur në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve folës ndërkombëtarë, profesionistë të teknologjisë dhe të rinj që prezantojnë idetë dhe projektet e tyre inovative.
Nën moton “The Future is Calling”, konferenca e organizuar nga The Foundation House (ish-IPKO Foundation) ka mbledhur profesionistë të teknologjisë, inovatorë, sipërmarrës dhe të rinj, me synimin për të diskutuar zhvillimet që po formësojnë të ardhmen.
Ceremonia e hapjes zyrtare u shoqërua me fjalën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetares së Bordit dhe kuratores së DOKU.TECH, Teresa Crawford.
Një nga folësit kryesorë të këtij edicioni është Ilir Sela, themelues dhe CEO i kompanisë amerikane Slice, i cili foli për ndikimin e inteligjencës artificiale në transformimin e bizneseve dhe industrisë së shërbimeve.
Sela theksoi se inteligjenca artificiale po e ndryshon rrënjësisht mënyrën se si funksionojnë bizneset, duke bërë dallimin mes softuerëve tradicionalë, të cilët u ofronin kompanive mjete për punë, dhe AI-së, e cila tashmë mund ta kryejë vetë punën.
Ai vlerësoi se kjo teknologji pritet të transformojë fusha të shumta, përfshirë drejtësinë, arsimin, shkrimin dhe sektorë të tjerë të bazuar në shërbime.
Ndërkaq, menaxherja e DOKU.TECH, Adelina Qarri Hoxha, tha se misioni kryesor i konferencës është frymëzimi i gjeneratave të reja, në mënyrë që ato ta shohin teknologjinë si mundësi zhvillimi dhe profesion të së ardhmes, por edhe të mësojnë si të mbrohen nga ndikimet e saj.
Ajo veçoi pjesëmarrjen e të rinjve dhe projektet që ata kanë zhvilluar, duke theksuar rëndësinë e krijimit të hapësirave ku gjeneratat e reja mund t’i prezantojnë idetë e tyre.
Pjesë e kësaj ngjarjeje janë edhe nxënësit që kanë sjellë projekte të ndryshme inovative. Njëra prej tyre është Dina Sadiku, e cila prezantoi një lojë interaktive të realizuar me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Ajo shpjegoi se loja përdor kamerën për të detektuar lëvizjet e dorës, përmes së cilave kontrollohet një shportë që mbledh mollët.
Sadiku tregoi se zhvillimi i projektit i kishte marrë kohë, por tha se prezantimi para vizitorëve ka qenë një përvojë e mirë dhe se shumë prej tyre e kanë pëlqyer lojën.
Edicioni i 13-të i DOKU.TECH do të vazhdojë edhe më 6 nëntor, duke sjellë diskutime, punëtori praktike, projekte nga shkolla e universitete dhe mundësi të reja bashkëpunimi. /Telegrafi/