Dokumenti i Qeverisë nxjerr në pah ngecjet: Ekonomia ngadalësohet, drejtësia, arsimi e shëndetësia me probleme

Dokumenti i Qeverisë nxjerr në pah ngecjet: Ekonomia ngadalësohet, drejtësia, arsimi e shëndetësia me probleme

Written by

in

Dokumenti i Qeverisë nxjerr në pah ngecjet: Ekonomia ngadalësohet, drejtësia, arsimi e shëndetësia me probleme

Tre vjet pas miratimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030, vetë Qeveria e Kosovës ka evidentuar ngecje dhe mosrealizim të objektivave në disa prej sektorëve më të rëndësishëm të shtetit.

Vlerësimi afatmesëm, i hartuar nga Zyra për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, evidenton vonesa në reforma, probleme në administratën publike dhe mungesë të rezultateve të pritshme në drejtësi, arsim e shëndetësi.

Sipas dokumentit, një pjesë e konsiderueshme e masave dhe aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim nuk janë përfunduar brenda afateve të përcaktuara.

“Shkalla mesatare e përfundimit të aktiviteteve ishte ndërmjet 25% dhe 50%, me minimum 18% dhe maksimum rreth 58%”, thuhet në vlerësim.

Si disa nga faktorët që kanë ndikuar në këtë rezultat përmenden moskonstituimi me kohë i institucioneve pas zgjedhjeve të vitit 2025, ndryshimet në mbështetjen e partnerëve zhvillimorë, ndërprerja e programeve të USAID-it dhe masat e Bashkimit Evropian të vendosura në vitin 2023.

Një tjetër problem i evidentuar është edhe mungesa e harmonizimit të planeve strategjike me buxhetin. Sipas dokumentit, kjo shkallë ka rënë nga 75% në vetëm 38.5% gjatë vitit 2024.

Vlerësimi nxjerr në pah edhe ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe rritjen e inflacionit.

Rritja reale e Bruto Produktit Vendor ra nga 4.6% në vitin 2024 në 3.6% në vitin 2025. Ndërkohë, inflacioni mesatar, pas rënies në 1.6% më 2024, u rrit në 3.9% më 2025, ndërsa deri në shtator të vitit 2026 arriti në 6.7%.

Kritika ka edhe për administratën publike, ku cilësia e hartimit të politikave dhe reforma administrative kanë mbetur prapa objektivave. Po ashtu, reforma e ndërmarrjeve publike ka shënuar pak përparim.

Probleme janë evidentuar edhe në politikën e jashtme, ku ndonëse aktivitetet janë zbatuar përgjithësisht mirë, rezultatet kanë qenë të vështira për t’u matur për shkak të mungesës së treguesve bazë dhe synimeve të qarta.

Në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale janë konstatuar ngecje, ndërsa në drejtësi nuk është shënuar përmirësim i dukshëm. Përkundrazi, dokumenti evidenton rritje të numrit të lëndëve të pazgjidhura në çështjet civile dhe administrative.

Në anën tjetër, sektorët e mbrojtjes dhe sigurisë paraqiten më mirë sa i përket ndarjeve buxhetore, të cilat kanë arritur objektivat e përcaktuara.

Vlerësimi afatmesëm paraqet kështu një pasqyrë të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2030, duke evidentuar hendekun mes objektivave të përcaktuara nga vetë institucionet dhe rezultateve të arritura deri më tani.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali