
Mungesa e psikologëve dhe qasja e kufizuar në shërbimet psikologjike vazhdojnë të jenë ndër problemet kryesore si në institucionet publike, ashtu edhe në sektorin privat.
Kështu ka vlerësuar mjekja psikoterapiste Aurora Dollenberg, e cila në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova ka theksuar se shumë pacientë përballen me vështirësi për të siguruar një termin për konsultim me psikologun.
Dollenberg ka thënë se numri i vogël i profesionistëve e vështirëson ofrimin e shërbimeve të mirëfillta psikologjike, veçanërisht në shkolla dhe institucione të tjera, ku një psikolog shpesh duhet të kujdeset për një numër të madh personash.
Sipas saj, nuk është e mjaftueshme që një shkollë apo institucion i tërë të ketë vetëm një psikolog, pasi koha dhe kapacitetet e një profesionisti të vetëm nuk mund t’i përmbushin nevojat e të gjithë nxënësve apo personave që kanë nevojë për mbështetje.
Ajo ka ngritur shqetësimin edhe për efektivitetin e shërbimeve psikologjike, duke theksuar se në disa raste prania e psikologëve në institucione mund të jetë më shumë çështje e përmbushjes së kërkesave sesa ofrim i trajtimit të mirëfilltë.
Psikoterapistja ka nënvizuar se është e nevojshme që psikologët të kenë kushte më të mira pune dhe kohë të mjaftueshme për t’u përkushtuar ndaj pacientëve, në mënyrë që seancat të mos kufizohen në vetëm disa minuta, por të zhvillohen si takime të plota terapeutike.
Sipas Dollenbergut, trajtimi i problemeve psikike kërkon angazhim serioz dhe kohë, si në rastet e fëmijëve dhe nxënësve, ashtu edhe te personat e rritur.
Ajo ka bërë thirrje që të shtohet numri i psikologëve dhe të përmirësohet qasja në shërbimet e shëndetit mendor, në mënyrë që personat që kanë nevojë për ndihmë të marrin trajtimin e duhur.
“Mungesa me psikologë vazhdon të jetë një ndër problemet kryesore, edhe pse ato mund të jenë psikologë privatë, që punojnë privatisht. Përsëri shumë pacientë shqiptarë tregojnë që kur e kërkojnë një psikolog, mezi që e gjejnë një seancë takimi aty, ose edhe nëpër institucione janë shumë pak. Pra nuk mundet për një shkollë ose për një institucion të tërë të ketë një psikolog të vetëm, se edhe sikur t’i numëroni ditët e vitit, do ishin më pak sesa punëtorë ose mundësi që të ketë ky psikolog të punojë për këta institucione. Pra, shumë shpesh psikologët janë thjesht në mënyrë… sepse protokollet evropiane e kërkojnë, sepse mësimdhënia e kërkon të ketë shkolla një të punësuar të tillë. Por sa efektiv e bëjnë terapinë e mirëfilltë me fëmijët, me nxënësit apo edhe me të rriturit, kjo faktikisht lë shumë për të dëshiruar për faktin se duhet të ketë më tepër dhe duhet të paguhet ky psikolog jo të flasë 5 minuta me pacientin, por me të vërtetë të ketë një seancë të mirëfilltë prej një ore dhe të angazhohet totalisht që t’i zgjidhë problemet psiqike të këtij pacienti”, tha ajo.