Dorëhiqet drejtori i Shërbimeve Publike në Suharekë pas komentit ndaj Bashkim Jasharit

Dorëhiqet drejtori i Shërbimeve Publike në Suharekë pas komentit ndaj Bashkim Jasharit

Written by

in

Drejtori i Shërbimeve Publike në Suharekë, Amir Hoxha, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas reagimeve për një koment të tij ndaj Bashkim Jasharit, të cilin e kishte quajtur “palaço”.

Hoxha ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se ka vendosur të kërkojë falje publike dhe të marrë përgjegjësinë për fjalën e përdorur në një debat në rrjetet sociale.

Ai ka pranuar se shprehja ishte e papërshtatshme dhe se nuk përfaqëson standardin e komunikimit që duhet të karakterizojë një person me përgjegjësi publike.

Për këtë, Hoxha i ka kërkuar falje Bashkim Jasharit dhe të gjithë atyre që mund të jenë ndier të fyer apo të lënduar nga komenti i tij.

Drejtori tashmë i dorëhequr ka theksuar se komenti ishte reagim dhe qëndrim personal, duke shtuar se nuk përfaqësonte as qëndrimin politik të subjektit të cilit i përket dhe as atë institucional të drejtorisë që drejtonte në Komunën e Suharekës.

“Duke qenë i vetëdijshëm për përgjegjësinë që bart pozita ime publike dhe për rëndësinë e besimit institucional, kam vendosur që, përtej kërkimfaljes, të paraqes dorëheqjen time nga pozita e Drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës”, ka shkruar Hoxha.

Ai ka thënë se dorëheqjen e konsideron akt të përgjegjësisë personale dhe institucionale, duke shtuar se përgjegjësia publike nënkupton edhe gatishmërinë për të pranuar gabimet dhe për të mbajtur përgjegjësi për to.