Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se po vazhdojnë punimet në asfaltimin e segmentit të fundit të rrugës Junik–Gjeravicë, deri te Lugu i Gjatë.
Sipas njoftimit, kjo rrugë ka një gjatësi prej 18 kilometrash, ndërsa vlera e investimit nga Qeveria e Kosovës është mbi 4.8 milionë euro.
Përmes këtij projekti synohet të mundësohet qasje më e shpejtë dhe më e sigurt drejt Gjeravicës, majës më të lartë në Kosovë.
Ministria ka theksuar se ky investim pritet të ketë ndikim edhe në zhvillimin e turizmit malor, fuqizimin e ekonomisë lokale dhe krijimin e mundësive të reja për banorët e kësaj zone.
Megjithatë, pas përfundimit të segmentit aktual, mbetet edhe finalizimi i pjesës fillestare të rrugës, ku gjatë realizimit të projektit janë paraqitur çështje pronësore.
Sipas Ministrisë, për këtë pjesë pritet që Komuna e Junikut t’i përmbushë obligimet e saj, në mënyrë që të mundësohet përfundimi i plotë i projektit. /Telegrafi/