Përmbledhje e Telegrafit nga shkrimet dhe fotot e siguruara nga historiani Kastriot Dervishi
Më 22 nëntor 1946, u kryen ekzekutimet ndaj personave të akuzuar si “sabotatorë“ gjatë punimeve për tharjen e Kënetës së Maliqit, pas proceseve gjyqësore të montuara nga regjimi komunist në Shqipëri.
Paralajmërim: Ky artikull përmban pamje dhe përshkrime shqetësuese
Punimet për bonifikimin dhe tharjen e Kënetës së Maliqit nisën më 5 maj 1946 me afat të parashikuar deri më 28 nëntor 1946. Vonesat dhe vështirësitë (mungesa e mjeteve, fondeve dhe fuqisë punëtore) u përdorën nga regjimi për të ngritur akuza për sabotim dhe spiunazh (tharja e kënetës ishte premtuar të bëhej në periudhën maj-nëntor 1946, por u deshën disa vite më pas që të mbaronte tharja).
Proceset ndaj inxhinierëve, teknikëve dhe punonjësve të projektit nisën në nëntor 1946, duke përfshirë edhe ish-nxënës të shkollës teknike të “Harry Fultz”-it.
Foto nga procesi: Majtas prokurori, në qendër trupi gjykues e sekretari dhe djathtas avokatëtFoto: ATSh
Për të përligjur gjoja një organizim amerikan në “sabotimet e kënetës së Maliqit”, me porosi të jugosllavëve u organizuan dy procese kryesore hetimore-gjyqësore.
Procesi i parë kundër “sabotatorëve” të kënetës së Maliqit u zhvillua më 8-18 nëntor 1946 në Tiranë me një shkallë gjykimi kundër 10 të pandehurve, teknikë dhe inxhinierë. Organizimin themelor, nga ideja e deri te filmimi, e udhëhoqi shërbimi sekret jugosllav, UDB-ja, si dhe udhēheqësia e DSSh-së (Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit në MPB).
Skenari i përdorur ishte ky: Teknikët e Maliqit gjoja merrnin porosi nga misioni amerikanë dhe UNRRA për të sabotuar. Lidhjet i mbante gjoja Zorika Mano, e cila vinte në Tiranë dhe takonte Blanka Balliçin, e cila banonte në një shtëpi përballë misionit amerikan. Edhe Blanka iu nënshtrua torturave, por nuk pranoi kurrsesi t’i deklaronte këto gënjeshtra në gjyq. Për këtë arsye, procesi i saj u veçua.
Lexo po ashtu nga Kastriot Dervishi:
– Letra ironike e të internuarit: Jetojmë shumë mirë, tani e njohëm me të vërtetë kush është partia dhe pushteti
– Shqipëria komuniste dhe patatja si bukë dhe si gjellë!
– Shqiptari i Kosovës, letër Enver Hoxhës: Jam 60 vjeç dhe peshoj 40 kilogramë
– Njeriu i ri komunist shqiptar: Vëllezërit e mi janë të ndyrë!
– Fatet tragjike të shqiptarëve të Kosovës, në Shqipërinë komuniste: Më mirë të vdes sesa të jetoj me këto vuajtje
– U burgos 16 vjeç, doli nga burgu 47 vjeç
Foto e procesit gjyqësor, nëntor 1946: Zorika Mano (kroate, martuar me Vasil Manon), njëra nga pesë gratë e dënuara me vdekje me vendim gjykate në vitet e regjimit komunistFoto: ATSh
Procesi i parë kryesor u zhvillua me një shkallë gjykimi (me vendim të formës së prerë), nga Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë nga nënkolonel Gaqo Floqi, anëtarët kapitenë të parë Veledin Zeneli dhe Nexhat Hyseni, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten i parë Nevzat Haznedari. Procesi u zhvillua më 8-18 nëntor 1946. Në përfundim u dhanë këto dënime:
– Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, me varje në litar:
– Eugenio Scaturo, Vasil Mano, Zorika Mano, me vdekje, pushkatim.
– Mario Guarnieri dhe Pandeli Zografi, me burgim të përjetshëm.
– Mihal Stratobërdha me 10 vjet burg.
– Anastas Risto me dy vjet burg.
– Jani Borova me një vit me kusht.
Inxhinier Vasil dhe Zorika Mano në një foto në Tiranë, disa vjet para pushkatimit të tyre në vitin 1946 në procesin e parë të “sabotatorëve të Maliqit” (fotografitë që iu ishin marrë nga Sigurimi në shtëpinë e tyre i kam gjetur të hedhura dhe të pashënuara. Në vitin 2007 u bënë pjesë e dosjes hetimore-gjyqësore të grupit në fjalë – shën. i K. D.).Kastriot Dervishi
Zorika Mano dhe Vasil Mano, në sheshin “Skënderbej”, Tiranë, foto rreth vitit 1944 (të dy u ekzekutuan pa faj në vitin 1946)Kastriot Dervishi
Ky proces është fotografuar nga ATSh-ja dhe filmuar nga jugosllavët.
Më 20-25 nëntor 1946 u gjykua grupi i dytë. Ky proces nuk u fotografua dhe filmua, por vetëm u njoftua në gazetën “Bashkimi” dhe në radio. Kjo sepse misioni amerikan ishte larguar. Këtë herë gjykimi u bë në dy shkallë gjyqësore, në fillim nga Gjykata Ushtarake e Tiranës e përbërë nga kapiten Njazi Meka (kryetar), kapiten Menella Bulka dhe nëntoger Vasil Karajani, duke pasur pranë prokurorin kapiten Halit Tafani. Në përfundim u dhanë këto dënime:
– Aleks Vasili dhe Mirush Përmeti dënohet me vdekje.
– Hans Vala, me 30 vjet burgim.
– Golfredo Pasquale Rizzo, me 10 vjet burgim.
– Llambi Napuçe, me 5 vjet burgim.
Vendimi u la në fuqi nga Gjykata e Lartë Ushtarake më 3 dhjetor 1946, e përbërë nga major Frederik Nosi (kryetar) dhe kapitenët e parë Veledin Zeneli dhe Nexhat Hyseni (anëtarë). Prokuror ishte Nevzat Haznedari.
Urdhri i refuzimit të faljes së jetës, përpara se të shprehej Presidiumi i Kuvendit Popullor.Kastriot Dervishi
Më 22 nëntor 1946 u krye ekzekutimi në Maliq përpara turmës së eksituar të popullit. Punëtorët donin “t’i shqyenin me duart e tyre”. Nuk i lanë të zbrisnin nga makina fillimisht. Në rolin e prokurorit publik u vu një punëtor (në foto më poshtë), i cili duke pozuar si Lenini, në karrocerinë e kamionit, mbajti një fjalim bolshevik duke vënë në dukje “tradhtinë” e të shkolluarve, bashkë me dëshirën e punëtorëve që “zhdukja e sabotatorëve” të shihej me sytë e tyre. “Kujt t’i pëlqejë le të bëjë si këta” – mbylli fjalimin punëtori nën brohoritjet për “drejtësinë popullore” të një populli të varfër . Inxhinierët Kujtim Beqiri dhe Abdyl Sharra u varën në litar. Një togë pushkatimi me gjashtë veta ekzekutoi pas shpine: Zorika Mano, Vasil Mano, Eugenio Scaturo. Edhe kjo u filmua nga jugosllavët.
Punëtori në rolin e prokurorit popullor!Kastriot Dervishi
Propaganda komuniste u kujdes që ta injektonte në popull idenë se të dënuarit me vdekje, i kishin mohuar popullit të mira materiale të paimagjinueshme. Ishin përgatitur dy trekëmbësha për varjen e Abdyl Sharrës dhe Kujtim Beqirit. Ndërkohë, para gjashtë pushkatarëve u rreshtuan të lidhur zinxhir nga duart e të kthyer prapa, sipas kësaj radhe: Zorika Mano, Vasil Mano, Eugenio ScaturoKastriot Dervishi
Maliq, 22 nëntor 1946. Toga me gjashtë veta duke i ekzekutuar, të lidhur në pranga e zinxhirë, nga e majta: Eugenio Scaturo, Vasil Mano dhe Zorika ManoFoto: UDB
Maliq, 22 nëntor 1946. Të shtrirë, të ekzekutuar e të lidhur, nga e majta: Zorika Mano, Vasil Mano dhe Eugenio Scaturo … dhe populli që kënaqet me pamjenFoto: UDB
/Telegrafi/