Drejtoresha e Informacionit në Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU), Liz Corbin, ka vizituar Radiotelevizionin e Kosovës, ku është takuar me drejtueset e transmetuesit publik dhe është njohur nga afër me punën e redaksive.
Gjatë takimit u shkëmbyen ide dhe përvoja të transmetuesve publikë në rajon, ndërsa u theksua rëndësia e financimit të qëndrueshëm për RTK-në, si dhe krijimi i një desku të unifikuar informativ.
“Një nga gjërat e rëndësishme që EBU-ja thekson vazhdimisht është se mediat e shërbimit publik duhet të kenë financim të sigurt, të qëndrueshëm, si dhe të jenë të pavarura. Përparësia e të qenit anëtar i EBU-së është se RTK-ja ka qasje në të gjitha shërbimet, por edhe në ekspertizën e mediave të shërbimit publik në Evropë e më gjerë. Kjo do të thotë se RTK-ja ka mundësi të diskutojë praktikat më të mira e të shohë se si funksionojnë gjërat në vendet e tjera”, tha Corbin.
Ajo vizitoi edhe hapësirat ku po zhvillohen përgatitjet për festivalin “Akordet e Kosovës”, ku vlerësoi potencialin artistik dhe rëndësinë e promovimit të talenteve përmes RTK-së.
Ndërkaq, drejtoresha e kanalit televiziv në gjuhën shqipe të RTK-së, Arta Avdiu, tha se takimi ka shërbyer për shkëmbimin e ideve dhe përvojave. Ajo theksoi se, së bashku me drejtoreshën ekzekutive, kanë mirëpritur rekomandimet e Corbin.
“Problemi kryesor mbetet buxheti i ulët. Pastaj diskutuam edhe disa modalitete se si mund t’ia dalim me këto mundësi buxhetore që kemi. Na njoftoi se si kanë vepruar mediumet e tjera. Kjo ka qenë temë e bisedës, si dhe mënyra se si të funksionojë një newsroom i unifikuar, që është ndoshta edhe modeli më i mirë. E njoftuam edhe për realizimin e festivalit”, tha Avdiu.
Vizita synon të forcojë komunikimin dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet RTK-së dhe EBU-së.
Burimi: RTKLive
