Dritat e frenimit që pulsojnë bëhen të detyrueshme në Zvicër, ja cilat vetura preken

Dritat e frenimit që pulsojnë bëhen të detyrueshme në Zvicër, ja cilat vetura preken

Written by

in

Një sistem i ri sigurie është bërë i detyrueshëm për veturat e reja në Zvicër nga 7 korriku 2026.

Bëhet fjalë për dritat e frenimit që pulsojnë gjatë frenimit emergjent, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe përplasjes së veturave nga prapa.

Sistemi aktivizohet kur shoferi frenon shumë fort ose kur sistemi automatik i frenimit emergjent ndërhyn për të shmangur një përplasje.

Në vend që dritat e frenimit të ndizen vetëm në mënyrë të zakonshme, ato pulsojnë për të paralajmëruar më shpejt drejtuesit e automjeteve që vijnë pas, shkruan Blick, transmeton Telegrafi.

Ky sistem aktivizohet gjatë frenimit të fortë në shpejtësi prej të paktën 50 kilometrash në orë. Qëllimi është që shoferët pasues ta vërejnë më shpejt rrezikun dhe të reagojnë në kohë.

Sipas të dhënave të Shoqatës Gjermane të Industrisë Automobilistike, sinjali që pulson mund ta shkurtojë kohën e reagimit deri në 0,2 sekonda. Në shpejtësi prej 100 kilometrash në orë, kjo mund të nënkuptojë një distancë ndalimi deri në 5,5 metra më të shkurtër.

Rregulli i ri vlen për veturat e reja që regjistrohen sipas kërkesave të reja. Veturat që janë tashmë në qarkullim nuk kanë detyrim ta instalojnë këtë sistem shtesë.

Zvicra e ka përshtatur këtë kërkesë me rregullat e Bashkimit Evropian, si pjesë e masave për rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e numrit të aksidenteve.

Sistemi i ri është pjesë e përpjekjeve për të parandaluar aksidentet nga pakujdesia dhe reagimi i vonuar i shoferëve, veçanërisht në autostrada dhe rrugë me shpejtësi të lartë./Telegrafi/