Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot mori pjesë në konferencën rajonale “SHE RISES REGIONAL 2026” në Prishtinë, Republika e Kosovës, ku në panelin kushtuar avancimit të sipërmarrësisë së grave përmes bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe integrimit evropian, prezantoi masat e Qeverisë për mbështetjen e grave sipërmarrëse, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e mundësive të reja për ndërlidhje ekonomike rajonale.
Në fjalimin e tij, ministri Durmishi theksoi se fuqizimi ekonomik i grave përbën një parakusht të rëndësishëm për rritje të qëndrueshme ekonomike, produktivitet më të lartë dhe shfrytëzim më të mirë të potencialit ekonomik të rajonit.
“Sipërmarrësia e grave nuk është vetëm çështje e mundësive të barabarta, por një forcë e rëndësishme shtytëse e rritjes ekonomike, investimeve dhe konkurrueshmërisë. Detyra jonë është të krijojmë kushte që gratë jo vetëm të themelojnë biznese, por edhe të zhvillojnë kompani të suksesshme, të investojnë, të eksportojnë dhe të krijojnë vende të reja pune”, theksoi Durmishi.
Ministri informoi se gjatë vitit 2026, përmes Programit për Zhvillimin e Sipërmarrësisë dhe Konkurrueshmërisë, janë siguruar 11,34 milionë denarë për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe të zejtarëve, me bashkëfinancim deri në 40 për qind të shpenzimeve për blerjen e makinerive dhe mjeteve të reja, përkatësisht deri në 200.000 denarë për përfitues.
Gjithashtu, janë siguruar 2 milionë denarë për zbatimin e standardeve ndërkombëtare në industrinë përpunuese, me mbështetje deri në 70 për qind të shpenzimeve, si dhe 5 milionë denarë për projekte të përbashkëta ndërmjet kompanive dhe universiteteve, me qëllim nxitjen e inovacioneve dhe zhvillimit teknologjik.
Durmishi theksoi se përmes Planit Operativ për Punësim për vitin 2026, për të cilin janë paraparë 2,39 miliardë denarë, mbështeten vetëpunësimi, sipërmarrësia dhe përvetësimi i aftësive të reja, duke u dhënë përparësi grave.
Theks i veçantë në konferencë iu kushtua mundësive për përfshirjen e kompanive në pronësi dhe nën drejtimin e grave në zinxhirët e furnizimit të kompanive të mëdha ndërkombëtare dhe investitorëve të huaj.
Ministri theksoi se Maqedonia e Veriut disponon një bazë të rëndësishme industriale dhe ka prani të investitorëve ndërkombëtarë, por se hapi i ardhshëm duhet të jetë ndërlidhja më e fuqishme e ndërmarrjeve vendore me zinxhirët globalë të prodhimit dhe eksportit.