Imagjinoni të hidheni nga një oxhak gjigant me shpejtësi prej 180 kilometrash në orë. Pikërisht këtë kanë bërë spanjolli Dani Roman dhe francezi Fred Fugen në Slloveni, duke vendosur dy rekorde botërore të Guinness-it.
Dy sportistët u lëshuan në ajër nga një lartësi në Trbovlje, përmes katapultës më të madhe njerëzore në botë, të ndërtuar brenda një oxhaku 360 metra të lartë, që është më i larti në Evropë, transmeton Telegrafi.
Sistemi i posaçëm, i gjatë 60 metra, i përshpejtoi nga zero në 180 km/h për vetëm 2.15 sekonda, duke i hedhur vertikalisht në ajër. Pasi përjetuan për pak çaste mungesën e peshës në pikën më të lartë, ata nisën të binin drejt tokës, përpara se të hapnin parashutat dhe të uleshin të sigurt.
Dani Roman arriti rekordin e parë të Guinness-it për lartësinë më të madhe të arritur nga një katapultë njerëzore, duke u ngritur 100.36 metra mbi pikën e lëshimit nga kapsula.
Por sfida nuk përfundoi me kaq. Romani, 35 vjeç, dhe Fugen, 47 vjeç, realizuan edhe një lëshim të njëkohshëm, duke vendosur rekordin e dytë për lartësinë më të madhe të kombinuar të arritur nga një katapultë njerëzore.
Së bashku, ata u ngritën 151.72 metra mbi pikat e lëshimit. Roman arriti lartësinë prej 75.97 metrash, ndërsa Fugen 75.75 metra.
“Pjesa më intensive është momenti kur futesh në katapultë, sepse e di se çfarë po të pret. Fillon numërimi mbrapsht. Brenda kapsulës mezi mund të lëvizësh, je plotësisht i bllokuar. Ndien presion në shpinë dhe në bark”, tregoi Roman.
Ai përshkroi edhe momentin e lëshimit, kur shpejtësia rritet brenda pak sekondash.
“Pastaj gjithçka ndodh menjëherë. Kalon nga zero në 180 km/h për dy ose tri sekonda dhe qëllohesh drejt lart, përmes oxhakut. Vazhdon të ngrihesh gjithnjë e më shumë, derisa papritur të duket sikur gjithçka përreth lëviz në ngadalësim. Më pas nis të përshpejtosh sërish gjatë rënies. Ishte një nga kërcimet më intensive që kam realizuar ndonjëherë”, shtoi ai.
Realizimi i kësaj sfide kërkoi një përgatitje të gjatë. Projekti “Human Catapult” u zhvillua për dy vjet e gjysmë, ndërsa ekipi slloven i inxhinierisë dhe akrobacive DD Squad ndërtoi sistemin gjigant të lëshimit brenda oxhakut më të lartë të Evropës.
Gjatë funksionimit me fuqinë maksimale, sistemi u shkaktoi sportistëve forca deri në 4.2G.
Për Fred Fugen, sfida më e madhe ishte përballja me diçka të panjohur, pavarësisht përvojës së tij me mijëra kërcime.
“Realiteti i asaj që ndodhi këtu është i pabesueshëm. Me një katapultë të kësaj madhësie po hyjmë në një territor të panjohur dhe duhet të mbështetemi në gjithë përvojën tonë për ta përballuar kërcimin pas një lëshimi kaq të veçantë dhe ekstrem. Është diçka për të cilën nuk mund të stërvitesh, por kemi besim të plotë te DD Squad”, tha ai.
Fugen shtoi se gjatë karrierës së tij ka synuar vazhdimisht të shtyjë kufijtë e sportit, duke provuar sfida të reja në kërcimet B.A.S.E., hedhjet me parashutë dhe sportet ajrore.
Projekti, i mbështetur nga Prada Linea Rossa, solli edhe një mënyrë të re të realizimit të kërcimeve B.A.S.E. Ky sport zakonisht përfshin hedhjen me parashutë nga objekte të palëvizshme, në vend të avionëve.
Shkurtesa B.A.S.E. përfaqëson katër lloje të vendeve nga të cilat realizohen kërcimet: ndërtesat (Building), antenat (Antenna), urat (Span) dhe terrenet natyrore si shkëmbinjtë apo malet (Earth).
Roman dhe Fugen kanë realizuar së bashku më shumë se 32 mijë kërcime me parashutë. Megjithatë, lëshimi nga një oxhak gjigant me shpejtësi 180 km/h ishte një përvojë krejtësisht e re, që tashmë u ka siguruar edhe dy rekorde botërore. /Telegrafi/