Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Pejë, nën dyshimin për dhunë në familje dhe kanosje.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj në vazhdimësi i kishte shkaktuar dhunë fizike dhe psikike, ndërsa ajo ishte kanosur edhe nga vjehrri.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, dy karikatorë, 252 fishekë dhe një leje valide për armë.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.
Burimi: RTKLive
