Gjashtë zyrtarë policorë në Maqedoninë e Veriut pritet të suspendohen nga puna, pas dyshimeve për përdorim të tepruar të forcës fizike ndaj dy të rinjve në Saraj të Shkupit.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se gjatë incidentit të ndodhur më 7 tetor 2026 janë evidentuar shkelje të rënda të rregullave dhe autorizimeve policore.
Sipas njoftimit të MPB-së, pas shqyrtimit të pamjeve të siguruara nga kamerat dhe deklaratave të dëshmitarëve, janë konstatuar një sërë parregullsish gjatë veprimeve të zyrtarëve policorë.
Për këtë arsye, Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Kriminalistike dhe Standardeve Profesionale ka nisur procedurat disiplinore ndaj gjashtë policëve, përfshirë procedurën për suspendimin e tyre nga puna.
Dy të rinjtë dyshohet se kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e përdorimit të tepruar të forcës nga zyrtarët policorë.
Ndërkohë, rasti po trajtohet edhe nga prokuroritë kompetente, të cilat kanë lëshuar urdhëresa për kryerjen e ekspertizave përkatëse.
MPB-ja ka bërë të ditur se pas përfundimit të dokumentimit dhe mbledhjes së materialit dëshmues do të dorëzohen parashtresat përkatëse pranë institucioneve kompetente.
Deri më tani, bëhet fjalë për procedura të iniciuara dhe jo për vendime përfundimtare për përgjegjësinë e zyrtarëve policorë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post Dy të rinj dyshohet se u rrahën nga policia në Shkup – Nisin procedurat për suspendimin e gjashtë policëve appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali