
Dy tornado kanë goditur të premten zonën e Trapanit në Itali, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesa, vetura dhe toka bujqësore. Nga ky fenomen janë lënduar disa persona.
Tornadot u formuan në det, pranë portit të Marsalës, dhe më pas lëvizën drejt tokës, duke përfshirë disa zona të rajonit të Trapanit.
Në Marsala, një shkollë u godit drejtpërdrejt nga njëra prej tornadove dhe pësoi dëme të mëdha. Ndërsa në Petrosino, erërat e fuqishme e nxorën një veturë nga rruga, duke bërë që ajo të përfundonte në një greminë. Dy personat që ndodheshin brenda veturës u lënduan dhe u dërguan në spital.
Dëmet më të mëdha u regjistruan në shkollën në zonën Terrenove, e cila është pjesë e shkollës “Alcide De Gasperi”. Drejtori i institucionit, Leonardo Gullotta, tha se ndërtesa u shkatërrua plotësisht nga tornadoja.
Në momentin e ngjarjes, në shkollë ndodheshin 273 fëmijë. Falë reagimit të shpejtë të stafit, ata u strehuan në një pjesë më të sigurt të ndërtesës.
Sipas drejtorit, asnjë nga fëmijët dhe punonjësit nuk pësoi lëndime serioze, ndërsa disa persona patën vetëm gërvishtje të lehta.
Ekipet e emergjencës mbërritën shpejt në vendngjarje, pavarësisht vështirësive në rrugë dhe dëmeve të shkaktuara nga erërat e fuqishme.
“Gjithçka përfundoi mirë. Zoti na ndihmoi”, tha drejtori i shkollës.
Ndërkohë, moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në pjesë të tjera të Italisë. Në zonën e Kremonës, rrugët janë përmbytur pas një stuhie të fortë me bubullima.
Autoritetet kanë vendosur alarm meteorologjik të nivelit portokalli për rajonet Lazio dhe Campania, për shkak të reshjeve të dendura dhe rrezikut nga përmbytjet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Dy tornado godasin Italinë, shkaktojnë dëme të mëdha dhe lëndojnë disa persona appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali