
Aksidenti i sotëm në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”, në zonën Mazgit–Trudë, i raportuar fillimisht si vetaksident, ka përfshirë dy automjete. Këtë e ka konfirmuar Policia e Kosovës pas hetimeve dhe analizimit të pamjeve filmike të publikuara.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka bërë të ditur se janë identifikuar të dy drejtuesit, përfshirë edhe shoferin që ishte larguar nga vendi i ngjarjes, raporton Gazeta Sinjali.
Të dy janë paraqitur në stacionin policor, ku janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve. Njëri prej tyre është kontrolluar nga ekipi mjekësor dhe i janë konstatuar lëndime të lehta.
Për nevoja të hetimit të mëtejshëm, Policia ka konfiskuar të dy automjetet e përfshira në aksident.
Sipas Hoxhës, veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të procedohet si kundërvajtje dhe të trajtohet nga hetuesit kompetentë policorë.
Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe të shmangin veprimet e rrezikshme që cenojnë jetën e tyre dhe të të tjerëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali