Áron Orbán, vëllai i ish-kryeministrit hungarez Viktor Orbán, është ndaluar nën dyshimin për kontrabandë me qenie njerëzore, sipas njoftimeve të shtypit, deklaroi të hënën Péter Magyar.
Péter Magyar shkroi në rrjetet sociale se Zyra Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive (NVVH) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (NNI) po vazhdojnë hetimet e tyre.
NVVH njoftoi të hënën se disa persona janë kapur në një rast që lidhet me trafikimin e qenieve njerëzore në Budapest dhe në qarkun Pest.
Në kuadër të këtij operacioni, po kryhen arrestime dhe kontrolle banesash në disa lokacione në kryeqytet dhe në qarkun Pest, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Hetuesit e NNI-së dhe stafi i NVVH-së po ndërmarrin veprime hetimore paralelisht dhe në mënyrë të përbashkët në dy procedime penale që janë aktualisht në zhvillim.
Detaje rreth krimeve dhe veprimeve hetimore pritet të bëhen të ditura gjatë pasdites.
Prokuroria Qendrore e Hetimit (KNYF) i deklaroi agjencisë MTI më 24 prill se kishte urdhëruar ndalimin njëmujor të dy të dyshuarve, në një çështje që lidhet me agjencitë e punësimit të përkohshëm, vendim ky i marrë nga Gjykata e Qarkut Qendror të Budës.
Hetuesit besojnë se të dyshuarit kishin premtuar sigurimin e lejeve të qëndrimit për punësim, “duke përmendur marrëdhëniet e tyre të besimit me zyrtarë me ndikim”, dhe më pas kishin ndarë mes tyre 17,000 euro – të marra si paradhënie nga një biznesmen për këtë qëllim.
KNYF bëri të ditur se ka marrë në pyetje katër persona si të dyshuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe vepra të tjera penale, ndërsa dy prej tyre janë ndaluar.
Sipas prokurorisë, gjykata e ka miratuar kërkesën për ndalimin e të dyshuarve, me argumentin se ekziston rreziku që ata të arratisen, të fshihen ose të ndërhyjnë në provat e çështjes.
Viktor Orbán, lideri i partisë opozitare Fidesz, deklaroi në Facebook se ai ishte objektivi i vërtetë i operacionit, ndërsa vëllai i tij ishte “thjesht një mjet për të arritur qëllimin”.
Orbán shtoi se qeveria, të hënën, duhet t’u përgjigjet pyetjeve para komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare, lidhur me zbulimin e dosjeve të shërbimeve sekrete nga epoka komuniste.
“Kjo është një shlyerje hesapesh që po përdoret për të shpërqendruar vëmendjen”, tha Orbán. “Ajo që po ndodh në Hungari nuk është llogaridhënie, por një larje hesapesh. Kur diçka nuk i shkon për shtat qeverisë, ndërhyn AVH-ja”, tha ai, duke iu referuar policisë sekrete të epokës komuniste.
“Qëllimi i kësaj loje të ndyrë është eliminimi i kundërshtarit politik dhe ndërtimi i një sistemi njëpartiak”, tha Orbán, duke shtuar: “Unë jam objektivi; vëllai im është thjesht një mjet për të arritur qëllimin”. /Telegrafi/