
Një person është ndaluar për 48 orë nën dyshimet për nxjerrje të kundërligjshme të dokumenteve zyrtare të Republikës së Kosovës që lidhen me regjistrimin civil. Gjatë kontrolleve policore në një kioskë në Leposaviq, ku i dyshuari ushtronte veprimtari për servisimin e celularëve, janë sekuestruar përkohësisht pajisje elektronike dhe dokumente të ndryshme që mund të shërbejnë si prova në këtë rast.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është zbuluar pas informatave të pranuara nga Hetimet Rajonale të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veri, të cilat ngritën dyshime se personi me inicialet R.M. merrej në mënyrë të kundërligjshme me nxjerrjen e dokumenteve zyrtare.
Kontrolli në lokalin që shfrytëzohej nga i dyshuari është kryer nga zyrtarët policorë të Sektorit të Hetimeve Rajonale, me asistimin e njësisë rajonale të forenzikës.
Materialet e sekuestruara do të procedohen tutje sipas udhëzimeve të Prokurorit të Shtetit.
Lidhur me rastin, përveç dy personave të tjerë, është intervistuar edhe i dyshuari R.M., në prani të avokatit mbrojtës. Pas shqyrtimit të rrethanave, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.
Rasti do të trajtohet nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë Veri, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali