
Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e një gruaje, e cila dyshohet se është përfshirë në një rast të vjedhjes në Rahovec.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, rasti dyshohet të ketë ndodhur më 2 janar 2026, ndërsa pavarësisht veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani, identiteti i të dyshuarës ende nuk është zbuluar.
Stacioni Policor në Rahovec, përkatësisht Sektori i Hetimeve, me autorizim të prokurorit të Shtetit, ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e personit që shihet në fotografinë e publikuar nga Policia.
Qytetarët që kanë informacione për identitetin apo vendndodhjen e saj mund të kontaktojnë Policinë përmes numrit 192, në stacionin më të afërt policor ose përmes adresës elektronike info@kosovopolice.com.
Policia ka garantuar se të gjitha informacionet e pranuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali