
Një zyrtar i Postës në Rahovec është arrestuar nën dyshimin se ka përvetësuar mbi 10 mijë euro nga qarkullimi ditor i dy pikave postare në këtë komunë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësia në Gjakovë, kishte pranuar informacione se i dyshuari nuk kishte raportuar mjetet financiare nga qarkullimi ditor i dy zyrave postare, shkruan Gazeta Sinjali.
I dyshuari pretendohet se gjatë datave 19 dhe 20 tetor kishte përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 10,146.12 eurosh.
Pas autorizimit nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprime hetimore, gjatë të cilave, sipas Policisë, janë siguruar prova lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Përvetësimi në detyrë”.
Zyrtari i dyshuar është arrestuar dhe intervistuar në prani të mbrojtësit të tij.
Me aktvendim të prokurorit kompetent, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Shënim: Personi i dyshuar prezumohet i pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë së tij me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali