Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit V.C., i dyshuar për shitje të paautorizuar të armëve dhe lajmërim apo kallëzim të rremë.
Sipas Prokurorisë, ndaj dy të pandehurve të tjerë, D.P. dhe L.U., të cilët gjenden në arrati, kanë nisur hetimet nën dyshimin për përfshirje në shitjen e paautorizuar të armëve.
Prokuroria njofton se ekziston dyshimi i bazuar që V.C., nga fillimi i tetorit deri më 30 tetor 2026, në një poligon armësh në Gjakovë, ka shitur në mënyrë të paautorizuar mbi 110 armë zjarri, të cilat dyshohet se i kishte në depon e poligonit të licencuar.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, armët dyshohet se u janë shitur personave D.P. dhe L.U., të cilët aktualisht gjenden në arrati.
Pas kësaj, i pandehuri dyshohet se e ka raportuar rastin në Policinë e Kosovës, duke pretenduar rrejshëm se armët i ishin vjedhur.
Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj V.C. ka nisur hetimet për veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.
Burimi: RTKLive
