
Një 29-vjeçare ka kërkuar ndihmën e Policisë në Fushë Kosovë, duke denoncuar ish të dashurin për një sulm fizik në afërsi të lokalit “Te 33”. E reja ka deklaruar se ishte goditur me grushte dhe shqelma, ndërsa burri, 19 vjet më i madh se ajo, ka mohuar në tërësi pretendimet e saj, mëson Gazeta Sinjali.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur të dielën, më 22 nëntor, rreth orës 11:00, në rrugën “Hamdi Grajqevci” në Fushë Kosovë.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është Z.G., rreth 48 vjeç, ndërsa ankuesja është A.A., rreth 29 vjeçe.
Vetëm rreth 20 minuta pas incidentit të pretenduar, e reja ishte paraqitur në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, ku kishte denoncuar ish-partnerin për sulm fizik.
Në deklarimin e saj, ajo ka pretenduar se ishte sulmuar me grushte dhe shqelma në afërsi të lokalit “Te 33”.
Ndërkohë, gjatë trajtimit të rastit nga Policia, 48-vjeçari ka mohuar të gjitha pretendimet e ish-partneres.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është iniciuar rast penal për veprën “Lëndimi i lehtë trupor”.
Me urdhër të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Burimi: Sinjali