E dhunoi ish-gruan kur shkoi t’i merrte fëmijët, kosovari ekstradohet nga Franca

E dhunoi ish-gruan kur shkoi t’i merrte fëmijët, kosovari ekstradohet nga Franca

Written by

in

E dhunoi ish-gruan kur shkoi t’i merrte fëmijët, kosovari ekstradohet nga Franca

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit A.S., i cili dyshohet për dhunim, armëmbajtje pa leje dhe kanosje.

I dyshuari ishte arrestuar në Francë pas lëshimit të një urdhërarresti ndërkombëtar, ndërsa gjatë ditës së djeshme është ekstraduar në Kosovë.

Aktualisht, ai ndodhet në masën e ndalimit me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ngjarja kishte ndodhur më 19 korrik 2024, rreth orës 12:00, në shtëpinë e të dyshuarit në Ferizaj.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se viktima A.S., së bashku me djalin e axhës L.S., kishte shkuar te prindërit e të pandehurit për t’i marrë fëmijët, të cilët ndodheshin për vizitë.

Në atë moment, i dyshuari, me revole në dorë, dyshohet se e kishte detyruar ish-bashkëshorten të hynte brenda shtëpisë, ku kishte shtënë disa herë me armë në tokë.

Pasi kishin hyrë brenda, ai dyshohet se e kishte goditur viktimën me shuplakë, e kishte kapur disa herë për flokë dhe e kishte goditur me shkelm në bark. Më pas, sipas Prokurorisë, ai kishte kryer marrëdhënie seksuale me të me dhunë dhe pa pëlqimin e saj.

“Me çka kreu veprën penale ‘Dhunimi’ nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.4 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Po ashtu, i dyshuari dyshohet se kishte përdorur armën pa autorizim për ta frikësuar viktimën dhe një person tjetër.

Ai gjithashtu dyshohet se e kishte kërcënuar këtë të fundit me vrasje, në rast se nuk ia sillte dokumentet dhe nëse e raportonte rastin në Polici.

Pas ngjarjes, i dyshuari dyshohet se ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe kishte qëndruar jashtë territorit të Kosovës, deri në arrestimin e tij në Francë dhe ekstradimin në vend.

Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj tij, ndërsa vendimin për këtë kërkesë pritet ta marrë Gjykata Themelore në Ferizaj.

Burimi: Insajderi