
Uran Ismaili, deputet i PDK-së, ka bërë të ditur se sot ka vizituar në Hagë ish-kryetarin e PDK-së dhe të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Sipas Ismailit, fokusi i bisedës ka qenë përgatitja e strategjisë për apelimin e aktgjykimit dënues, teksa ka vlerësuar se takimet me Veselin i japin vazhdimisht kurajo dhe se ai ishte i fortë.
“Përgjegjësia jonë historike në mbrojtje të së vërtetës. Në prag të Festës së Flamurit, isha në Hagë si pjesë e ekipit mbrojtës në vizitë te kryetari Kadri Veseli. Takimet me të më japin gjithmonë kurajo. E gjeta të fortë si gjithmonë, me zemrën plot. Biseduam për përgatitjet për apel dhe për hapat që kemi përpara. E gjithë vëmendja jonë është te apeli. Në këtë betejë është në peshore edhe e vërteta e Kosovës dhe e luftës sonë çlirimtare.”, ka shkruar Ismaili në Facebook.
Ai ka thënë se angazhimi i shoqërisë kosovare duhet të jetë më i madh në mbrojtje të së vërtetës së luftës çlirimtare.
“Përballë padrejtësisë që u është bërë heronjve të luftës sonë me dënimin e tyre, angazhimi ynë si shoqëri duhet të jetë edhe më i madh. Beteja për të vërtetën e Kosovës vazhdon. Në këtë betejë, uniteti dhe angazhimi ynë kanë peshë. Është përgjegjësia jonë historike ta mbrojmë të vërtetën e luftës sonë çlirimtare.”, ka shkruar Ismaili.
Burimi: Insajderi