“E ka strehuar në banesë Albert Sylajn”, çka thuhet në dosjen e prokurorisë për Metë Pepajn dhe Gëzim Bobin

“E ka strehuar në banesë Albert Sylajn”, çka thuhet në dosjen e prokurorisë për Metë Pepajn dhe Gëzim Bobin

Written by

in

“E ka strehuar në banesë Albert Sylajn”, çka thuhet në dosjen e prokurorisë për Metë Pepajn dhe Gëzim Bobin

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës. Paraburgimi është kërkuar për ish-vjehrrën e Zekajt, Nurije Sylaj, ish-kunatin Driton Sylaj, si dhe Metë Pepajn dhe Gëzim Bobin.

Sipas Prokurorisë, Nurije dhe Driton Sylaj dyshohen se ndihmuan në kryerjen e vrasjes, kurse Metë Pepaj e Gëzim Bobi, dyshohen se ndihmuan Albert Sylajn pas kryerjes së vrasjes. Hetimet janë zgjeruar edhe ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, Jeton Sylaj, i cili dyshohet për “Shtytje në vrasje të rëndë”.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar kërkesën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se Nurije Sylaj dyshohet se me dashje ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së veprës penale nga Albert Sylaj. Aty thuhet se nga data 22 tetor 2026, kur viktima Arlinda Zekaj ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare, ka fotografuar dhe incizuar vazhdimisht viktimën, duke siguruar dhe ruajtur në telefonin e saj mobil fotografi dhe video që pasqyrojnë praninë dhe lëvizjet e saj.

Ndërsa, Prokuroria thekson se në telefonin e saj është gjetur edhe një video e datës 23 tetor 2026, në të cilën viktima shihet duke ecur në qytet, video kjo që dyshohet se i ishte dërguar nga Driton Sylaj përmes aplikacionit WhatsApp.

Këto veprime, sipas Prokurorisë, dyshohet se janë ndërmarrë në kuadër të një koordinimi paraprak me personat e tjerë dhe me qëllim të sigurimit, përcjelljes dhe shkëmbimit të informacioneve lidhur me lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës, duke krijuar kështu kushte dhe duke lehtësuar realizimin e planit të dyshuar për privimin e saj nga jeta.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, në ditën kritike, Nurije Sylaj ka qenë e pranishme në shtëpi, fillimisht në sallon e më pas edhe në dhomën e gjumit, gjatë kohës kur Albert Sylaj e ka sulmuar viktimën Arlinda Zekaj me sëpatë, duke mos ndërmarrë asnjë veprim për ta penguar apo ndërprerë sulmin, ndonëse ka qenë prezente dhe në dijeni për veprimet që po zhvilloheshin, ndërsa pas kryerjes së veprës penale, në deklaratën e dhënë në cilësi të dëshmitares, dyshohet se ka tentuar t’i devijojë hetimet dhe të fshehë rrethanat e vërteta të ngjarjes, duke pretenduar se viktima e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë dhe se ajo vetë kishte qenë pa ndjenja në kohën e kryerjes së vrasjes.

Këto pretendime, sipas Prokurorisë, nga provat e deritanishme, nuk përputhen me incizimet e kamerave të sigurisë, sidomos njërës ku shihet zhvillimi i një pjese të ngjarjes dhe prania e saj gjatë veprimeve të Albert Sylajt.

Me këtë, Nurije Sylaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprs penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3, 1.4 e 1.8 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.

Ndërsa, Driton Sylaj dyshohet se me dashje ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së veprës penale nga Albert Sylaj. Ai ka përcjellë lëvizjet e viktimës dhe ka siguruar informacione për vendndodhjen e saj, duke e incizuar më 23 tetor 2026 duke ecur në qytet, ndërsa videon e realizuar ia ka dërguar Nurije Sylajt përmes aplikacionit WhatsApp, me ç’rast materiali është gjetur në telefonin e kësaj të fundit.

Këto veprime, Prokuroria vlerëson se Driton Sylaj i ka ndërmarrë duke qenë në dijeni për planin e personave të tjerë për privimin nga jeta të viktimës dhe me qëllim që, përmes sigurimit dhe transmetimit të informacioneve për lëvizjet e saj, të krijojë kushte dhe të lehtësojë realizimin e veprës penale. Dhe , pas kryerjes së vrasjes, Albert Sylaj e ka njoftuar për vrasjen e viktimës.

Me këtë, Driton Sylaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3, 1.4 e 1.8 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.

Kurse, Metë Pepaj dyshohet se më 25 tetor 2026, me dashje ka ndihmuar Albert Sylajn në shmangien e arrestimit dhe zbulimit nga organet e drejtësisë.

Sipas Prokurorisë, pas kryerjes së veprës penale të vrasjes së Arlinda Zekajt, Pepaj e ka marrë Albert Sylajn me automjetin e tij dhe e ka transportuar deri në fshatin Bec, me qëllim që ta largojë nga vendi ku mund të lokalizohej dhe arrestohej nga organet kompetente, duke i mundësuar kështu shmangien e përkohshme nga arrestimi dhe kapja nga policia.

Me këtë, Metë Pepaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale” nga neni 380, par.3 i Kodit Penal.

Në anën tjetër, Gëzim Bobi po ashtu dyshohet se me dashje ka ndihmuar Albert Sylajn në shmangien e arrestimit dhe zbulimit nga organet e drejtësisë. Kjo pasi, më 25 tetor 2026, pasi Albert Sylaj ishte transportuar nga Metë Pepaj deri në fshatin Bec, e ka marrë dhe e ka strehuar në banesën e tij në Gjakovë, duke i mundësuar fshehjen dhe qëndrimin larg organeve të rendit.

Ndërsa, sipas Prokurorisë më 26 tetor 2026, rreth orës 11:30, me automjetin e tij e ka transportuar Albert Sylajn në drejtim të fshatit Maznik, me qëllim të vazhdimit të fshehjes së tij dhe shmangies nga arrestimi dhe kapja prej organeve kompetente.

Me këto veprime, Gëzim Bobi dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380, par.3 i Kodit Penal.

Prokurorika vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit. Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se Nurije dhe Driton Sylaj ndihmuan Albert Sylajn në kryerjen e veprës penale, ndërkaq Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi pas kryerjes së veprës penale.

Prokuroria thekson se dyshimi i bazuar mbështetet në provat materiale dhe personale të administruara gjatë zhvillimit të hetimeve, duke theksuar me rëndësi të veçantë ekzaminimin e incizimeve të kamerave të sigurisë dhe telefonave të sekuestruar, provat tjera materiale dhe deklaratat e të dëmtuarës. Gjithashtu, dyshimi i bazuar mbështetet edhe në përmbajtjen e procesverbaleve të marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe të pandehurit Albert Sylaj.

Prokuroria vlerëson se nëse të pandehurit lihen në liri, mund të pengojnë rrjedhën e procedurës, veçanërisht përmes ndikimit, frikësimit apo ushtrimit të presionit ndaj dëshmitarëve, sidomos ndaj familjarëve të tyre.

Burimi: Insajderi