E ndaluan në trafik, i dolën dy urdhërarreste – 1,800 euro gjoba të papaguara e çojnë Alfred Sinanin për 90 ditë në burg

E ndaluan në trafik, i dolën dy urdhërarreste – 1,800 euro gjoba të papaguara e çojnë Alfred Sinanin për 90 ditë në burg

Written by

in

E ndaluan në trafik, i dolën dy urdhërarreste – 1,800 euro gjoba të papaguara e çojnë Alfred Sinanin për 90 ditë në burg

Një ndalim i zakonshëm në trafik ka përfunduar krejt ndryshe për një qytetar në Graçanicë. Alfred Sinani, i cili kishte dy gjoba të papaguara për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje, ka përfunduar në burg për 90 ditë, pasi gjatë kontrollit policor rezultoi se ndaj tij ishin aktive dy urdhërarreste gjyqësore.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur të premten, më 30 tetor, rreth orës 13:30, kur zyrtarët policorë të Stacionit të Graçanicës e kanë ndaluar Sinanin, rreth 34-vjeçar, gjatë një kontrolli në komunikacion.

Por ajo që fillimisht dukej si një kontroll rutinë, përfundoi me zbulimin se Sinani kërkohej për ekzekutimin e dy dënimeve me burgim.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, pas shoqërimit në stacion dhe verifikimit të të dhënave, Policia ka konstatuar se ndaj tij ekzistonin dy urdhërarreste aktive, të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Nga 1,800 euro gjoba, në 90 ditë burgim

Burimet e Sinjalit zbulojnë se urdhërarresti i parë lidhej me një dënim për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, për të cilën Sinani ishte dënuar me 1,000 euro gjobë.

Mirëpo, për shkak të mospagesës, gjykata ia kishte zëvendësuar gjobën me 50 ditë burgim.

Ndërkohë, urdhërarresti i dytë lidhej me një tjetër dënim, kësaj radhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, për të cilin i ishte shqiptuar gjobë prej 800 eurosh.

Edhe kjo gjobë kishte mbetur e papaguar dhe ishte zëvendësuar me 40 ditë burgim.

Kështu, dy gjobat në vlerë të përgjithshme prej 1,800 eurosh ishin shndërruar në gjithsej 90 ditë burgim.

Pas konfirmimit të urdhërarresteve, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprimet për ekzekutimin e tyre.

Sinani është dërguar në Qendrën Korrektuese në Hajvali, ku do të vuajë dënimin prej 90 ditësh burgim.

Nga një ndalim në trafik, drejt e në institucionin korrektues – dy gjobat e papaguara për narkotikë dhe armëmbajtje i kanë kushtuar Sinanit tre muaj privim nga liria.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali