“E papranueshme”, LDK-ja thotë se Shiroka-Pula largoi fotografinë e Ibrahim Rugovës nga Presidenca

“E papranueshme”, LDK-ja thotë se Shiroka-Pula largoi fotografinë e Ibrahim Rugovës nga Presidenca

Written by

in

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thënë se Presidentja Justina Shiroka-Pula ka marrë vendim për largimin e fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e nderit në Presidencë, duke e cilësuar këtë veprim të papranueshëm.

Në një reagim në Facebook, LDK-ja ka thënë se këto dy simbole kanë rëndësi historike dhe shtetërore për Kosovën.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshëm vendimin e Presidentes Shiroka-Pula për largimin nga vendet e nderit në Presidencë të fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë, të vendosura përkatësisht nga Presidentja Osmani dhe Presidenti Sejdiu. Presidenca është institucion shtetëror ku nderohen themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar ai. Fotografia e Atit Themelues të Republikës së Kosovës dhe Deklarata e Pavarësisë kanë domethënie historike e shtetërore. Trajtimi i tyre si elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe i papranueshëm”, thuhet nga LDK-ja.

Partia ka kërkuar rishikimin e vendimit dhe rikthimin e fotografisë së Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë në vendet e tyre të mëparshme në Presidencë.

“Largimi i këtyre dy simboleve cenon këtë respekt institucional. Presidenca ka përgjegjësi të ruajë vazhdimësinë e shtetit dhe të nderojë trashëgiminë e tij. Kjo përgjegjësi tejkalon mandatin e secilit president dhe duhet të pasqyrohet edhe në mënyrën se si paraqitet shteti në hapësirat e tij zyrtare, para qytetarëve dhe përfaqësuesve të huaj.

LDK-ja kërkon rishikimin e këtij vendimi dhe rikthimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë në vendet e tyre të nderit në Presidencë. Një veprim i tillë do të dëshmonte respektin që institucioni i Presidentit duhet të ketë ndaj themeleve të Republikës që përfaqëson”, ka shkruar LDK-ja.

Burimi: Dukagjini