
Ato trokitën në dyert e institucioneve për të kërkuar mbrojtje. Disa denoncuan dhunën në polici, të tjera kërkuan ndihmën e gjykatave, ndërsa disa kishin në duar edhe urdhra mbrojtjeje. Por, as denoncimet, as vendimet gjyqësore dhe as paralajmërimet për rrezikun nuk arritën t’ua shpëtonin jetën.
Në Kosovë, disa nga vrasjet më tronditëse të grave kanë një të përbashkët, institucionet ishin njoftuar për dhunën ose rrezikun përpara se të ndodhte krimi. Në disa raste, dështimi i shtetit për t’i mbrojtur viktimat është konstatuar edhe nga Gjykata Kushtetuese. Në raste të tjera, familjarët dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave kanë kërkuar përgjegjësi për mënyrën se si janë trajtuar denoncimet.
Diana Kastrati është një nga rastet e para që nxori në pah pasojat fatale të mosveprimit institucional. Në vitin 2011, ajo iu drejtua Gjykatës Komunale në Prishtinë për të kërkuar urdhër mbrojtjeje nga ish-partneri i saj, Adnon Jashari. Megjithatë, kërkesa nuk mori përgjigjen e nevojshme. Më 18 maj të atij viti, Diana u vra me armë zjarri në Prishtinë. Më vonë, Gjykata Kushtetuese konstatoi se institucionet kishin shkelur të drejtën e saj për jetë.
Katër vjet më vonë, më 23 dhjetor 2015, Zejnepe Berisha u vra nga bashkëshorti i saj, Nebih Berisha, në Suharekë. Para vrasjes, ajo kishte raportuar vazhdimisht dhunën në familje në polici. Megjithatë, dhuna nuk u ndal. Zejnepja u godit shumë herë me thikë, në prani të fëmijëve të saj. Bashkëshorti i saj u dënua për krimin, ndërsa rasti ngriti pyetje të rënda për trajtimin e denoncimeve të mëparshme.
Sebahate Morina-Sopi kishte kërkuar gjithashtu ndihmë përpara se të vritej në mars të vitit 2021. Vetëm dhjetë ditë para vrasjes, njëra nga vajzat e saj kishte raportuar në polici dhunën që ish-bashkëshorti ushtronte ndaj saj. Sebahatja e kishte konfirmuar dhunën gjatë intervistimit policor. Megjithatë, nuk u ndërmorën masa të mjaftueshme për të parandaluar krimin. Ajo u vra nga ish bashkëshorti, i cili më pas kreu vetëvrasje. Gjykata Kushtetuese konstatoi se Policia dhe Prokuroria kishin dështuar në përmbushjen e detyrimeve për mbrojtjen e jetës së saj.
Në fillim të vitit 2022, Lirie Qerimaj, nga Llausha e Skenderajt, kërkoi mbrojtje pas dhunës së ushtruar nga bashkëshorti. Më 1 janar, rasti u raportua në polici dhe ajo kërkoi urdhër mbrojtjeje. Mirëpo, urdhri emergjent nuk u lëshua. Procedurat për kërkesën e mbrojtjes u shtynë gjatë ditëve të festave zyrtare. Më 5 janar, vetëm katër ditë pas raportimit, Liria u vra me armë zjarri nga bashkëshorti i saj. Kërkesa për mbrojtje nuk kishte arritur ta shpëtonte.
Më 30 nëntor 2022, Kosova u trondit nga vrasja e Hamide Magashit, gruas shtatzënë që priste të sillte në jetë fëmijën e saj. Ajo kishte raportuar bashkëshortin për dhunë në familje dhe kishte urdhër mbrojtjeje që vlente deri në mars të vitit 2023. Megjithatë, u qëllua për vdekje me armë zjarri nga bashkëshorti në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, në Prishtinë. Pas krimit, dorasi kreu vetëvrasje. Vrasja e saj ngriti dyshime për efektivitetin e masave mbrojtëse që duhej të garantonin sigurinë e viktimës.
Rastet e vitit 2024 e rikthyen vëmendjen te dhuna ndaj grave. Më 12 prill, Erona Cakolli, 21 vjeçe, u vra me armë zjarri nga ish-bashkëshorti në ambientet e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. Ajo ndodhej në një institucion publik kur ndodhi krimi.
Katër ditë më vonë, më 16 prill, Gjyljeta Ukellaj u vra me armë zjarri nga bashkëshorti në banesën e tyre në Pejë. Bashkëshorti kishte qenë i dënuar më parë për dhunë në familje.
Rasti më i fundit është i Arlinda Zekajt, e vrarë më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës. Ajo kishte urdhër mbrojtjeje gjashtëmujor, të lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë më 16 tetor. Më 22 tetor, Arlinda iu drejtua Prokurorisë duke ngritur shqetësime për trajtimin e rasteve të saj dhe duke kërkuar zbatimin e vendimit gjyqësor. Në shkresën e saj kishte paralajmëruar edhe për rrezikun ndaj jetës.
Mbrëmjen e 25 tetorit, pasi kishte qenë në stacionin policor për të denoncuar dhunën, Arlinda u vra në shtëpi. Sipas raportimeve, i dyshuari është kunati i saj.
Te gjitha këto gra kërkuan mbrojtje nga shteti për të mbetur gjallë, por sot emrat e tyre janë dëshmi e dhimbshme se ndonjëherë, mes një denoncimi të shpërfillur dhe një jete të humbur, qëndron heshtja e institucioneve.