
Një grua është gjetur pa shenja jete mëngjesin e së mërkurës në shtëpinë e saj në fshatin Leshan të Suharekës.
Rasti është raportuar rreth orës 07:00, pasi mjeku kujdestar i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes, ka njoftuar Policinë.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas tij, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve dhe ekspertët mjekoligjorë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).
Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i gruas është dërguar në IML për ekzaminime të mëtejshme.
Policia ka bërë të ditur se lidhur me rastin është iniciuar hetimi për vdekjen, ndërsa në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren po ndërmerren veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali