Fluturimet në distanca të gjata mund ta çrregullojnë orën biologjike të shpendëve detarë, duke shkaktuar gabime në orientim, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore “Science”, raporton Reuters përcjell Dukagjini.
Studiuesit analizuan të dhëna GPS të mbledhura gjatë 20 vjetëve nga 1.045 shpendë të llojit ”Puffinus puffinus”. Këta shpendë mund të largohen rreth një mijë kilometra nga kolonitë e tyre në kërkim të ushqimit.
Për t’u orientuar, ata përdorin edhe pozicionin e Diellit, të cilin e interpretojnë përmes orës së brendshme biologjike. Kur lëvizin me shpejtësi drejt lindjes ose perëndimit, kjo orë mund të mos përputhet me kohën diellore lokale, duke i bërë të devijojnë nga drejtimi i duhur.
Mekanizmi është i ngjashëm me atë që shkakton “jet lag” te njerëzit pas udhëtimeve nëpër zona të ndryshme kohore. Megjithatë, ende nuk dihet nëse shpendët përjetojnë pasoja të tjera, përtej gabimeve në orientim.
Sipas studiuesve, kërkime të mëtejshme mund të tregojnë nëse çrregullimi ndikon edhe në ushqyerjen, pushimin apo shëndetin e tyre.
Burimi: Dukagjini
