Universiteti i Prishtinës dhe ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në Komisionin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, Elvana Shala, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për promovimin e arsimit gjithëpërfshirës.
Fushata “Edukimi i barabartë – E ardhme e barabartë” synon të sigurojë qasje dhe mundësi të barabarta në arsim për të gjithë, me theks të veçantë te kategoritë e margjinalizuara.
Edukimi gjithëpërfshirës dhe qasja e barabartë në arsim janë thelbësore për eliminimin e diskriminimit, veçanërisht ndaj fëmijëve nga komunitetet jo-shumicë.
Zëvendësministri i Arsimit, Muhedin Nushi, tha për RTK-në se institucionet po angazhohen përmes bursave për studentët dhe mbështetjes së organizatave që promovojnë arsimin, me synim parandalimin e braktisjes së shkollës.
“Jemi të orientuar që të gjithë të kemi qasje të drejtë, të barabartë dhe askush të mos të privohet nga e drejta për tu arsimuar. Askush të mos privohet nga e drejta për të pasur mjete mësimore që i duhet secilit”, tha Muhedin Nushi, zëvendësministër i Arsimit.
Lidhur me këtë çështje, është nënshkruar një Memorandum i Mirëkuptimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe ambasadores së Vullnetit të Mirë për Kosovën në Komisionin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, Elvana Shala.
Shala njoftoi se memorandumi ka për qëllim vendosjen e një kornize të përbashkët bashkëpunimi për realizimin dhe promovimin e fushatës “Edukimi i barabartë – E ardhme e barabartë”.
“Do të mundohemi që bashkë me universitetin të krijojmë edhe mekanizma që secili student të ketë qasje të barabartë në arsim, pavarësisht aftësisë së kufizuar, etnisë apo gjinisë”, ka thënë Elvana Shala, ambasadore e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se UP-ja ka shënuar përmirësime të vazhdueshme në ofrimin e mundësive të barabarta në arsim dhe punësim.
“Trendi është pozitiv, si për sa i përket qasjes në objekte, ashtu edhe politikave të ndryshme të UP-së lidhur me gjithëpërfshirjen, pavarësisht dallimeve”, tha Arben Hajrullahu, rektori i UP-së
Marrëveshja synon të rrisë ndërgjegjësimin e studentëve, stafit akademik dhe shoqërisë në përgjithësi për rëndësinë e arsimit gjithëpërfshirës, të promovojë parimin e mundësive të barabarta në arsim dhe të kontribuojë në krijimin e një mjedisi universitar më gjithëpërfshirës dhe më të qasshëm.
Burimi: RTKLive
