
Një 29-vjeçar ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës, pas një operacioni të zhvilluar nga hetuesit e Kryeqytetit, të cilët e lidhin atë me të paktën 14 raste të vjedhjeve të rënda në Prishtinë, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se personi i arrestuar është Rijad Isufi, 29 vjeçar, i cili është ndaluar të shtunën, më 7 nëntor, rreth orës 20:00, nga njësitë hetimore të Kryeqytetit.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, 29-vjeçari është identifikuar si i dyshuar në një varg rastesh të vjedhjeve të rënda, të cilat janë trajtuar nga dy stacione policore në Prishtinë.
Me udhëzim të Prokurorisë, ai është intervistuar lidhur me gjithsej 14 raste, prej të cilave 11 janë trajtuar nga Stacioni Policor Qendra dhe tri të tjera nga Stacioni Policor Jugu.
Gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, Isufi ka shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore për t’u mbrojtur në heshtje.
Pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të Prokurorisë, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali