
Një kontroll i një veture BMW në Pejë ka çuar në zbulimin e një pistolete me 12 fishekë, ndërsa bastisja e mëvonshme e shtëpisë së drejtuesit ka zbuluar edhe një armë tjetër me municion. Por ajo që e bën rastin të pazakontë është se i dyshuari posedonte leje për të dyja armët, të cilat megjithatë iu sekuestruan për shkak të mënyrës së mbajtjes së tyre, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Avni Krasniqin, rreth 52 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur të martën, më 17 nëntor, rreth orës 21:20, në zonën e rrugëve “UÇK” dhe “Nora Kelmendi” në Pejë, ku hetuesit policorë, në asistim të një patrulle, kanë ndaluar një automjet BMW që drejtohej nga Krasniqi.
Gjatë kontrollit të veturës, në ndarjen përpara ulëses së pasagjerit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë të kalibrit 9 mm Luger, një karikator dhe 12 fishekë.
Por kontrolli nuk ka përfunduar me kaq.
Pas njoftimit të Prokurorit të Shtetit, është urdhëruar bastisja e shtëpisë së të dyshuarit, ku në tavolinën e sallonit është gjetur edhe një pistoletë tjetër e kalibrit 9×19 mm.
Bashkë me armën e dytë janë sekuestruar dy karikatorë, 13 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe një fishek i kalibrit 7.62×39 mm.
Në total, Policia ka sekuestruar dy pistoleta, tre karikatorë dhe 26 fishekë.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, Krasniqi kishte leje për të dyja armët, por zyrtarët policorë kanë konstatuar se ato nuk mbaheshin në mënyrën e duhur.
Për këtë arsye, armët dhe municioni janë sekuestruar për procedura të mëtejshme.
Krasniqi është shoqëruar në njësinë e hetimeve, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ai është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali