
Një seri vjedhjesh të rënda në Fushë Kosovë, me dëme të raportuara mbi 60 mijë euro, ka zbuluar edhe rrugën që dyshohet se ka ndjekur një pjesë e arit të vjedhur. Nga banesat e qytetarëve, përmes një argjendarie në Prishtinë, e deri në Prizren, ku hetuesit kanë arritur të lokalizojnë dhe sekuestrojnë stoli ari me vlerë rreth 25 mijë euro, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se tre personat e dyshuar në këtë rast janë Festim Hasani, rreth 34 vjeç, Miriton Kuleta, rreth 20 vjeç, dhe Adnan Bullaku, rreth 29 vjeç.
Hetimet lidhen me tetë raste të vjedhjeve të rënda, të raportuara në Fushë Kosovë, ku autorët e dyshuar përdornin një mënyrë të ngjashme për të depërtuar nëpër banesa.
Njëri prej rasteve ishte raportuar më 8 tetor, kur persona të maskuar dyshohet se kishin hyrë në një banesë përmes ballkonit, duke thyer xhamin e tarracës.
Nga ajo banesë ishin raportuar të vjedhura para të gatshme, stoli ari dhe pajisje të ndryshme, me vlerë rreth 20 mijë euro.
Por vjedhjet nuk kishin përfunduar aty.
Në periudhën pasuese janë raportuar edhe shtatë raste të tjera, me mënyrë të ngjashme veprimi, ndërsa vlera e përgjithshme e pasurisë së raportuar si e vjedhur tejkalon 60 mijë euro.
Në mesin e sendeve të vjedhura ishte edhe një armë zyrtare, pronë e një zyrtari policor.
Rastet janë evidentuar në disa zona të Fushë Kosovës, përfshirë rrugët “Fazli Grajqevci”, “Anton Qeta” dhe “Bedri Pejani”.
Pas veprimeve hetimore, Policia ka identifikuar tre persona të dyshuar dhe ka ndërmarrë operacione për arrestimin e tyre.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, arrestimet janë realizuar në Fushë Kosovë, Prishtinë dhe Obiliq, ndërsa të tre të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tyre është caktuar ndalimi për 48 orë.
Por zhvillimi më i rëndësishëm ka ardhur nga gjurmimi i arit të dyshuar si të vjedhur.
Gjatë hetimeve, Policia ka kryer kontroll edhe në një argjendari në Prishtinë, ku dyshohej se ishte shitur një pjesë e stolive të marra nga banesat.
Sipas burimeve të Sinjalit, pas bashkëpunimit të ofruar gjatë kontrollit në argjendari, hetuesit kanë siguruar informacione që i kanë çuar drejt qytetit të Prizrenit.
Atje është lokalizuar dhe sekuestruar ar me vlerë rreth 25 mijë euro, i cili dyshohet se ishte rishitur pas vjedhjeve.
Ndërkohë, kontrollet në adresat e të dyshuarve kanë zbuluar edhe sende të tjera që mund të lidhen me rastet.
Në mesin e provave të sekuestruara janë para të gatshme, një veturë, një pistoletë, një telefon iPhone, veshmbathje, maska, doreza dhe mjete që dyshohet se janë përdorur për depërtimin në banesa.
Gjatë kontrolleve të mëvonshme janë gjetur edhe tre zinxhirë të dyshuar si të artë, si dhe një sasi e konsiderueshme substance të dyshuar marihuanë.
Hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar rolin e secilit të dyshuar, për të identifikuar të gjithë personat që mund të jenë përfshirë në vjedhje dhe për të sqaruar qarkullimin e pasurisë së marrë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali