
Vetëm katër orë larg shtëpisë i kanë kushtuar shtrenjtë një qytetari në Prishtinë. Persona ende të panjohur dyshohet se kanë hyrë me forcë në banesën e tij në Lagjen e Gjelbër, në Kolovicë, duke vjedhur stoli ari dhe para të gatshme me vlerë të përgjithshme prej 10,400 eurosh.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 17 tetor, në intervalin kohor nga ora 18:00 deri në 22:00, derisa pronari i shtëpisë nuk ndodhej aty.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, R.F, 41 vjeçar ishte larguar nga shtëpia rreth orës 18:00, ndërsa kur ishte kthyer katër orë më vonë, kishte kuptuar se prona e tij ishte bërë cak i hajnave.
Nga kontrolli fillestar, pronari ka dyshuar se autorët kishin arritur të hynin përmes dritares së sallonit, duke depërtuar në brendësi të shtëpisë.
Por dëmi nuk ishte i vogël.
Sipas deklarimit të ankuesit, nga shtëpia ishin zhdukur stoli ari në vlerë prej rreth 10 mijë eurosh, si dhe 400 euro para të gatshme.
Rasti është denoncuar në Polici rreth orës 22:10, ndërsa njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë informacionet fillestare nga pronari.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e procedurës për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Autorët ende nuk janë identifikuar, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur mënyrën e hyrjes në shtëpi dhe për të identifikuar personat e përfshirë në vjedhje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Ekskluzive | Hajnat hyjnë nga dritarja në një shtëpi në Kolovicë – zhduken 10 mijë euro ari dhe para të gatshme appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali