
Dy muaj pas plagosjes së rëndë të një të riu pranë diskotekës “LIT” në Prishtinë, hetimet kanë sjellë një tjetër arrestim. Lorid Reka, i cili ishte në kërkim policor në lidhje me rastin, është ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”. Arrestimi i tij vjen vetëm një javë pasi, po në aeroport, ishte ndaluar edhe Ylber Tupalla, një tjetër i dyshuar për rastin që po hetohet si vrasje në tentativë.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Lorid Reka, rreth 20-vjeçar, është ndaluar të mërkurën, më 4 nëntor, rreth orës 10:50, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, pasi rezultonte në kërkim policor.
Ai është shoqëruar për intervistim nga hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, në praninë e avokatit mbrojtës.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorisë së Shtetit, ndaj tij është caktuar ndalimi për 48 orë.
Një javë më parë, në të njëjtin aeroport u arrestua Ylber Tupalla
Siç mëson Sinjali, ky është arrestimi i dytë i realizuar në aeroport në lidhje me plagosjen e ndodhur më 5 shtator pranë diskotekës “LIT”.
Më 28 tetor, rreth orës 21:45, ishte ndaluar Ylber Tupalla (2002), i cili gjithashtu ishte në kërkim policor për këtë rast.
Pas intervistimit në praninë e avokatit mbrojtës, edhe ndaj tij ishte caktuar ndalimi prej 48 orësh.
Çfarë ndodhi natën e plagosjes te “LIT”?
Ngjarja kishte ndodhur më 5 shtator, rreth orës 03:50, pranë diskotekës “LIT”, në rrugën “Lidhja e Pejës” në Prishtinë.
Viktima, Adnan Behrami (2002), ishte plagosur katër herë me armë zjarri – tri herë në këmbën e majtë dhe një herë në pjesën e majtë të abdomenit.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, plagosjes i kishte paraprirë një mosmarrëveshje brenda lokalit, ndërsa dy persona dyshohen për përfshirje në sulmin me armë.
Pas të shtënave, personat e dyshuar ishin larguar nga vendngjarja me një Volkswagen Golf 7, ngjyrë hiri, në drejtim të rrugës “Lidhja e Pejës”.
I plagosuri ishte dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
Në vendngjarje kishin dalë hetuesit dhe njësitë e forenzikës, të cilët kishin mbledhur prova dhe kishin sekuestruar edhe pajisjen DVR të diskotekës, për ekzaminimin e pamjeve të kamerave të sigurisë.
Hetimet vazhdojnë për vrasje në tentativë
Rasti është iniciuar për veprën penale “Vrasja në tentativë”, ndërsa në kuadër të hetimit janë përfshirë edhe dyshimet për posedim të paautorizuar të armëve dhe dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale.
Me arrestimin e Lorid Rekës, dy persona të kërkuar në lidhje me këtë rast janë ndaluar brenda një jave, të dy në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Hetimet vazhdojnë për të sqaruar rolin konkret të secilit person të dyshuar dhe përgjegjësinë e tyre eventuale penale.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali