
Një seancë gjyqësore për një kontest pronësor në Viti është shndërruar në incident të rëndë, ku cak i sulmit dyshohet se ka qenë vetë gjyqtarja që po zhvillonte procedurën. I pakënaqur me një vendim gjyqësor, një burrë dyshohet se e ka kapur gjyqtaren për krahu, e ka shtrënguar dhe e ka shtyrë disa herë, duke këmbëngulur se prona ishte e tij. Ngjarja ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe ndalimin e të dyshuarit.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se incidenti ka ndodhur të mërkurën, më 4 nëntor, rreth orës 14:00, në fshatin Sadovinë e Jerlive të Vitisë.
Në atë kohë, gjyqtarja Q.S, nga Gjykata Themelore në Gjilan – Dega në Viti, po zhvillonte një seancë në terren në kuadër të një procedure kontestimore.
Sinjali mëson se personi i dyshuar për sulmin është H.Y., rreth 40-vjeçar, i cili, sipas informacioneve të siguruara, ishte shprehur i pakënaqur me një vendim të gjyqtares.
E kapi për krahu dhe e shtyu, duke këmbëngulur se prona ishte e tij
Situata dyshohet se është përshkallëzuar gjatë zhvillimit të seancës, kur H.Y e ka kapur gjyqtaren për krahu dhe e ka shtrënguar, duke e shtyrë fizikisht.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, veprimi është përsëritur dy deri në tri herë, ndërsa i dyshuari këmbëngulte me fjalët: “Kjo është prona ime!”
Incidenti ka vazhduar deri në mbërritjen e njësive policore në vendngjarje.
Gjyqtarja ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe ka siguruar raport mjekësor pas sulmit të raportuar.
Arrestohet i dyshuari, ndalohet për 48 orë
Pas ndërhyrjes së Policisë, për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, e cila ka udhëzuar inicimin e hetimeve për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”.
Me vendim të Prokurorisë, Herion Ymeri është ndaluar për 48 orë, ndërsa veprimet e mëtejshme hetimore po zhvillohen nga Hetimet Rajonale në Gjilan.
Rrethanat e plota të incidentit dhe përgjegjësia eventuale penale e të dyshuarit mbeten për t’u përcaktuar gjatë procedurës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali