
Një përleshje mes disa personave në qendër të Prishtinës është përshkallëzuar në sulm ndaj zyrtarëve policorë, pasi një shtetas turk, i cili u gjet me duar të gjakosura, dyshohet se ka sulmuar dy policë me shqelma. Të dy zyrtarët kanë pësuar lëndime trupore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se incidenti ka ndodhur më 19 tetor 2026, rreth orës 22:45, në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë.
Policia fillimisht kishte marrë informacion për një rrahje që ishte duke ndodhur në atë lokacion, ndaj një patrullë ishte nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes.
Me të mbërritur, zyrtarët policorë kanë hasur në Mehmet Tusgun, rreth 27-vjeçar, shtetas i Turqisë, i cili kishte duart e gjakosura dhe po shfaqte sjellje agresive.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, gjatë ndërhyrjes policore i dyshuari ka nisur t’i sulmojë zyrtarët, duke i goditur me shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, përfshirë këmbët dhe duart.
Si pasojë, dy policët kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.
Pas përballjes, njësia policore ka arritur ta vërë nën kontroll të dyshuarin dhe t’i vendosë prangat. Edhe ai është dërguar për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, sipas deklarimit të një dëshmitari, përleshja fillestare dyshohet se kishte ndodhur mes katër deri në pesë personave, të cilët, sipas tij, ishin gjithashtu shtetas turq. Personat e tjerë nuk janë hasur nga Policia në vendin e ngjarjes.
Gjatë procedurave policore, Tusgun i është nënshtruar alkooltestit, i cili ka rezultuar me 1.14 promilë alkool.
Për rastin janë njoftuar njësitë përkatëse hetimore dhe Prokurori i Shtetit.
Me vendim të Prokurorisë, ndaj Mehmet Tusgun është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Hetimet po vazhdojnë për sqarimin e rrethanave të përleshjes fillestare dhe sulmit të dyshuar ndaj zyrtarëve policorë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali