Ekskluzive | Mblodhi afro 190 mijë euro kinse vuante nga leukemia, Endrit Azemi u kap në kufi – para hetuesve pranoi se gjithçka ishte inskenuar

Ekskluzive | Mblodhi afro 190 mijë euro kinse vuante nga leukemia, Endrit Azemi u kap në kufi – para hetuesve pranoi se gjithçka ishte inskenuar

Written by

in

Ekskluzive | Mblodhi afro 190 mijë euro kinse vuante nga leukemia, Endrit Azemi u kap në kufi – para hetuesve pranoi se gjithçka ishte inskenuar

Gazeta Sinjali sjell detaje ekskluzive nga arrestimi dhe rrëfimi para hetuesve i Endrit Azemit, të riut nga Gjilani që dyshohet se mashtroi qytetarët e Kosovës dhe diasporës, duke grumbulluar afro 190 mijë euro për trajtimin e një sëmundjeje nga e cila nuk vuante.

Burimet e Sinjalit zbulojnë se Azemi është kapur më 21 nëntor, në pikën kufitare në Han të Elezit, pikërisht gjatë hyrjes në territorin e Kosovës.

Ai ishte shpallur në kërkim policor nga hetuesit rajonalë të Gjilanit, pas zbulimit të dyshimeve për mashtrimin me fushatën e donacioneve.

Por detaji më i rëndësishëm i këtij rasti lidhet me atë që Azemi ka deklaruar pas arrestimit.

Në orët e para të 22 nëntorit, rreth orës 01:30, gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, Azemi ka pranuar në tërësi se gjithçka kishte qenë e inskenuar dhe se nuk vuante nga leukemia akute.

Për t’i bindur qytetarët që të kontribuonin financiarisht, ai kishte paraqitur dokumentacion që pretendohej se ishte lëshuar nga spitali “Acibadem Altunizade” në Turqi, sipas të cilit trajtimi dhe rehabilitimi i tij do të kushtonin 253.765 dollarë amerikanë.

Mirëpo, hetuesit, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, kishin siguruar dokumentacion zyrtar nga institucionet relevante në Kosovë dhe Turqi, duke zbuluar se Azemi nuk figuronte në databazat spitalore të verifikuara lidhur me sëmundjen që kishte deklaruar publikisht.

Përmes fushatës në platformën “GoFundMe” ishin grumbulluar 162.522 euro, ndërsa nga aktivitetet për mbledhjen e donacioneve në Gjilan ishin siguruar edhe rreth 26.685 euro.

Sinjali mëson gjithashtu se fondet e grumbulluara në Kosovë janë ngrirë, ndërsa përmes kanaleve të bashkëpunimit ndërkombëtar policor është kërkuar ngrirja e donacioneve të grumbulluara në një llogari në Gjermani.

Pas pranimit të tij para hetuesve, Prokuroria kishte urdhëruar ndalimin për 48 orë.

Sot, Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke i caktuar Azemit masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Rasti, i cili ka shkaktuar revoltë të madhe në opinionin publik, përbën një goditje të rëndë ndaj besimit të qytetarëve në fushatat humanitare, prej të cilave shpesh varet jeta e njerëzve që realisht kanë nevojë për ndihmë.

Hetimet ndaj Azemit po zhvillohen për veprën penale “Mashtrimi”.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: Sinjali