Ekskluzive | Me armë të gjatë e çekan grabitën argjendarinë në Gjakovë – këta janë dy të arrestuarit që dyshohen edhe për grabitjen e dytë

Ekskluzive | Me armë të gjatë e çekan grabitën argjendarinë në Gjakovë – këta janë dy të arrestuarit që dyshohen edhe për grabitjen e dytë

Written by

in

Ekskluzive | Me armë të gjatë e çekan grabitën argjendarinë në Gjakovë – këta janë dy të arrestuarit që dyshohen edhe për grabitjen e dytë

Dy grabitje brenda 11 ditësh në Gjakovë dhe dy emra që tashmë kanë përfunduar në duart e Policisë. Hetimet për grabitjen e armatosur të argjendarisë “XHINTONGOLD”, ku njëri prej autorëve dyshohet se kërcënoi punonjësit me armë të gjatë, ndërsa tjetri theu dollapët me çekan, kanë çuar në arrestimin e dy personave që dyshohen edhe për një grabitje tjetër, mëson Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të arrestuarit janë Arbenit Ukaj, rreth 24-vjeçar, dhe Lirim Istrefaj, rreth 34-vjeçar.

Grabitja në argjendarinë “XHINTONGOLD”, në rrugën “Nënë Tereza”, kishte ndodhur më 5 nëntor, rreth orës 17:15.

Dy persona të maskuar, të veshur me rroba të zeza, dyshohet se kishin hyrë në lokal dhe kishin kërcënuar dy personat që ndodheshin brenda.

Njëri prej tyre mbante një armë të gjatë, të cilën ua kishte drejtuar punonjësve, ndërsa tjetri, me çekan në dorë, kishte thyer dollapët dhe kishte marrë një sasi ari e para të gatshme.

Pas grabitjes, të dy ishin larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes.

Por hetimet e Policisë kanë zbuluar dyshime se grabitja e argjendarisë nuk ishte rasti i vetëm ku mund të jenë përfshirë të njëjtët persona.

Më 17 nëntor, pas sigurimit të informacioneve dhe provave, hetuesit kanë identifikuar dy të dyshuarit dhe kanë kryer bastisje në pronat e tyre.

Në shtëpinë e njërit janë sekuestruar një sasi ari, para të gatshme, telefona dhe veshmbathje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes.

Kontrolle janë kryer edhe në banesën e të dyshuarit tjetër, ku janë sekuestruar një telefon dhe disa veshmbathje.

Sipas burimeve të Sinjalit, dy të arrestuarit dyshohen edhe për grabitjen e 16 nëntorit në Gjakovë, pasi hetuesit kanë siguruar prova që i lidhin me të dy rastet.

Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Arbenit Ukaj dhe Lirim Istrefaj janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Hetimet për zbardhjen e plotë të dy grabitjeve po vazhdojnë.

Personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali