
Një gjobë prej 10 mijë eurosh i është shndërruar në 500 ditë burgim një qytetari nga Prishtina, pasi nuk kishte kryer pagesën e dënimit të shqiptuar për vepra penale që lidhen me armëmbajtjen pa leje dhe përdorimin e armës.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 19 tetor, rreth orës 02:00, në rrugën “Malush Kosova” në Prishtinë, Policia ka arrestuar Avni Fazlijën rreth 40-vjeç, ndaj të cilit ekzistonte një urdhërarrest aktiv.
Gjatë verifikimit është konstatuar se Fazlija kërkohej për zbatimin e një vendimi gjyqësor lidhur me veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës”.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, Gjykata i kishte shqiptuar dënim me gjobë prej 10,000 eurosh, mirëpo për shkak të mospagesës, kjo shumë ishte zëvendësuar me dënim efektiv me burgim në kohëzgjatje prej 500 ditësh.
Pas arrestimit dhe verifikimit të urdhëresës, Avni Fazlija është dërguar për vuajtje të dënimit.
Rasti është proceduar si “Urdhëresë e realizuar”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Ekskluzive | Nuk e pagoi gjobën prej 10 mijë eurosh për armëmbajtje dhe përdorim të armës – përfundon me 500 ditë burg appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali