Ekskluzive | Plantacion kanabisi në oborr, mbi dy kilogramë drogë në tharje në tavan – antidroga arreston 21-vjeçarin në Kaçanik

Ekskluzive | Plantacion kanabisi në oborr, mbi dy kilogramë drogë në tharje në tavan – antidroga arreston 21-vjeçarin në Kaçanik

Written by

in

Ekskluzive | Plantacion kanabisi në oborr, mbi dy kilogramë drogë në tharje në tavan – antidroga arreston 21-vjeçarin në Kaçanik

Një kontroll i zakonshëm i një veture ka çuar hetuesit e antidrogës drejt një sasie të konsiderueshme kanabisi në një shtëpi në Kaçanik. Nga një kavanoz me marihuanë i gjetur në një Golf 4, Policia ka zbuluar mbi dy kilogramë material bimor të dyshuar si kanabis në fazën e tharjes, si dhe tri bimë kanabisi të kultivuara në një serë, dy prej tyre rreth dy metra të larta.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se aksioni është zhvilluar më 20 tetor 2026, nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Ferizaj, ndërsa i arrestuari është Gentrit Dullovi rreth 21-vjeç, nga fshati Vatë i Kaçanikut.

Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, hetuesit kishin marrë paraprakisht informacione operative se Dullovi dyshohej se merrej me shitblerjen e marihuanës dhe për këtë qëllim përdorte një Golf 4, ngjyrë vishnje.

Rreth orës 20:30, vetura është lokalizuar në fshatin Doganaj, afër Udhëkryqit të Flamujve, ku njësitë e antidrogës e kanë ndaluar për kontroll.

Gjatë kontrollit, brenda automjetit është gjetur një kavanoz qelqi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Por zbulimi më i madh ka ardhur pas kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit në fshatin Vatë.

Duke vepruar në rrethana të ngutshme, hetuesit kanë kontrolluar pronën e Dullovit dhe në tavanin e shtëpisë kanë gjetur dhjetëra degë kanabisi në proces tharjeje.

Sasitë e evidentuara përfshijnë 17 degë me peshë 1,467 gramë dhe 21 degë të tjera me peshë 586 gramë, si dhe 59.3 gramë gjethe kanabisi.

Ndërkohë, në oborrin e shtëpisë, brenda një sere, Policia ka zbuluar tri bimë të dyshuara Cannabis sativa, dy prej të cilave ishin rritur deri në rreth dy metra, ndërsa e treta kishte gjatësi rreth 40 centimetra.

Gjatë aksionit janë sekuestruar gjithashtu tri sasi të tjera të dyshuara marihuane, me peshë 9.8 gramë, 0.5 gramë dhe 6.4 gramë, një palë gërshërë dhe një telefon mobil.

Vetëm materiali bimor në fazën e tharjes dhe gjethet e sekuestruara arrijnë në mbi 2.1 kilogramë, pa përfshirë peshën e tri bimëve të gjetura në serë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe zyrtarët e Forenzikës Rajonale të Ferizajt, të cilët kanë dokumentuar dhe tërhequr substancat dhe bimët e dyshuara për ekzaminim.

Pas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Departamentit për Krime të Rënda, është autorizuar intervistimi i të dyshuarit dhe ndalimi i tij për 48 orë.

Ndaj Gentrit Dullovit po zhvillohen hetime për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar prejardhjen, destinacionin dhe qëllimin e posedimit të substancave të sekuestruara, si dhe rrethanat e kultivimit të bimëve të gjetura në pronë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali