
Një aksion i Njësisë së Urdhëresave në Prishtinë ka përfunduar me arrestimin e një 36-vjeçari, i cili kërkohej në bazë të një urdhërarresti aktiv. Policia e ka lokalizuar në autosallonin e tij, ku edhe ka realizuar arrestimin, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Flamur Sahitin, rreth 36 vjeç.
Arrestimi është realizuar të premten, më 20 nëntor, rreth orës 19:30, në rrugën “Fadil Hoxha” në Prishtinë.
Sipas informacioneve të siguruara, zyrtarët e Njësisë së Urdhëresave të Stacionit Policor Jugu, gjatë veprimeve për lokalizimin e personave të kërkuar nga drejtësia, kanë shkuar në autosallonin e Sahitit.
Atje kanë arritur ta lokalizojnë dhe arrestojnë në bazë të urdhëresës aktive.
Pas arrestimit, Sahiti është dërguar në institucionin korrektues për vuajtjen e dënimit prej 45 ditësh burgim.
Nga informacionet e siguruara nuk bëhet e ditur vepra penale për të cilën ishte dënuar.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali