
Hetimet për therjen me thikë të një 19-vjeçari në Gjakovë kanë marrë një kthesë të re. Përveç 16-vjeçarit të arrestuar fillimisht për vrasje në tentativë, Policia ka ndaluar edhe dy të rinj të tjerë, të cilët dyshohen për pjesëmarrje në rrahje. Të tre kanë përfunduar në ndalim policor për 48 orë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur të hënën, më 9 nëntor, rreth orës 08:00, në rrugën “UÇK” në Gjakovë, ku Edlind Ahmeti (19) ka pësuar dy plagë që dyshohet se i janë shkaktuar me thikë.
I plagosuri ishte paraqitur fillimisht në Emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda”, nga ku është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Sipas informacioneve policore, 19-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Fillimisht, Policia kishte arrestuar një 16-vjeçar me inicialet Y.B., ndaj të cilit, me urdhër të Prokurorisë, është iniciuar rasti për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Ndërkohë, veprimet e mëtejshme të Sektorit Rajonal të Hetimeve në Gjakovë kanë çuar në identifikimin dhe ndalimin e dy personave të tjerë.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Arlind Ahmetin (21) dhe Jeton Ahmetin (21), ndaj të cilëve është iniciuar rasti për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje”.
Të tre të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa pas konsultimit me Prokurorinë është vendosur që të ndalohen për 48 orë.
Hetimet po zhvillohen nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjakovë.
Shënim. I akuzuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali