
Kanosja e një gjyqtari brenda zyrës së tij në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega në Vushtrri, ka rezultuar me ndalimin e një 64-vjeçari. Pas intervistimit të të dyshuarit, Prokuroria ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, personi i ndaluar është Afrim Shala, rreth 64 vjeç, ndërsa ankuesi është gjyqtari Jeton Zymeri, rreth 40 vjeç.
Incidenti ka ndodhur të premten, më 27 nëntor, rreth orës 11:30, brenda objektit të Gjykatës në Vushtrri.
Gjyqtari ndodhej në zyrën e tij kur Shala dyshohet se e kishte kërcënuar, duke iu drejtuar me fjalët:
“Ti do ma paguash këtë borxh, se përndryshe maju mirë”.
Në cilësinë e dëshmitarëve të incidentit janë evidentuar një zyrtar policor dhe dy persona të tjerë.
Për rastin janë angazhuar hetuesit e Stacionit Policor në Vushtrri dhe Njësia e Hetimeve Rajonale në Mitrovicë.
Sinjali mëson se në kuadër të veprimeve hetimore, Afrim Shala është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalimin e 64-vjeçarit për 48 orë.
Ndaj Shalës po zhvillohen hetime për veprën penale “Kanosja”.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali