
Një rast i zhdukjes së një vajze 14-vjeçare nga Suhareka ka marrë një kthesë të rëndë, pasi hetimet kanë çuar në arrestimin e një 24-vjeçari nën dyshimin për veprën penale “Dhunimi”. E mitura, e cila ishte gjetur pas dy ditësh kërkimesh, është dërguar për ekzaminim mjekoligjor dhe më pas është vendosur në strehimore, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i arrestuari është Albion Elshani, rreth 24-vjeçar, i cili dyshohet se kishte qëndruar me të miturën gjatë kohës kur familja nuk kishte informacione për vendndodhjen e saj.
Rasti kishte nisur më 11 nëntor, kur nëna e vajzës ishte paraqitur në Stacionin Policor në Suharekë për të raportuar zhdukjen e së bijës, me inicialet A.D., rreth 14-vjeçare.
Sipas denoncimit, vajza ishte larguar nga shtëpia më 10 nëntor dhe nuk ishte kthyer, ndërsa familjarët dyshonin se ajo ndodhej me një person madhor.
Pas kërkimeve, më 12 nëntor, rreth orës 09:30, Policia kishte arritur ta lokalizonte të miturën.
Vajza ishte shoqëruar së bashku me nënën në zyrat e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren, ku kishte deklaruar se gjatë kohës së largimit nga shtëpia kishte qëndruar në shoqërinë e një personi madhor, në një shtëpi në një fshat të Suharekës.
Pas intervistimit, e mitura është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim dhe më pas është vendosur në strehimore.
Zhvillimi i fundit ka ndodhur të premten, më 13 nëntor, rreth orës 12:00, kur hetuesit kanë arritur ta identifikojnë dhe arrestojnë Albion Elshanin.
I dyshuari është shoqëruar në zyrat e hetimeve rajonale në Prizren, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprën penale “Dhunimi”, ndërsa hetuesit po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali