
Zhvillime të reja janë shënuar në rastin e vrasjes së rëndë që tronditi sonte në mbrëmje fshatin Vitomiricë të Pejës, ku 49-vjeçarja Arlinda Sylaj Zekaj u gjet e vrarë në shtëpinë e saj, vetëm pak minuta pasi ishte kthyer nga Stacioni Policor, ku kishte denoncuar dhunë në familje.
Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se tashmë është ndaluar edhe bashkëshorti i viktimës, Jeton Sylaj, i cili pas intervistimit nga hetuesit policorë është dërguar në Qendrën e Ndalimit në Klinë për 48 orë.
Ky zhvillim vjen në kuadër të veprimeve të autoriteteve pas vrasjes së Arlindës, për të cilën si i dyshuar është identifikuar kunati i saj, Albert Sylaj.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, viktima ishte shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë më 25 tetor, rreth orës 19:00, ku ishte intervistuar nga Njësia për Hetimin e Dhunës në Familje.
Rreth orës 20:58, ajo ishte kthyer në shtëpi nga patrulla policore.
Vetëm rreth dhjetë minuta më vonë, Policia ishte njoftuar për vrasjen e saj.
Në dhomën e gjumit, zyrtarët policorë e kishin gjetur 49-vjeçaren pa shenja jete, ndërsa sipas dyshimeve fillestare, kunati i saj, Albert Sylaj, e kishte goditur me sëpatë në kokë dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Ndalimi i bashkëshortit të viktimës përbën zhvillimin më të fundit në këtë rast, ndërsa ende nuk janë sqaruar zyrtarisht dyshimet konkrete mbi të cilat është marrë vendimi për ndalimin e tij.
Gazeta Sinjali do të vazhdojë të raportojë për zhvillimet e reja në këtë rast, përfshirë rrethanat që çuan deri te vrasja dhe veprimet institucionale që i paraprinë tragjedisë.
Shënim: Ndalimi prej 48 orësh nuk nënkupton vërtetimin e fajësisë për bashkëshortin, i cili po hetohet për dhunë në familje. Përgjegjësia eventuale penale përcaktohet vetëm përmes procedurës ligjore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali