Ekstradohen dy persona të kërkuar nga Mali i Zi dhe Gjermania në Kosovë

Ekstradohen dy persona të kërkuar nga Mali i Zi dhe Gjermania në Kosovë

Written by

in

Policia e Kosovës ka realizuar të premten ekstradimin e dy shtetasve kosovarë, njërit nga Mali i Zi dhe tjetrit nga Gjermania, të cilët kërkoheshin me urdhër-arreste ndërkombëtare të lëshuara nga institucionet e drejtësisë.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 23 tetor 2026, nga Mali i Zi është ekstraduar shtetasi S.M., i cili kërkohej për përfshirje në veprimtari penale.

Pas përfundimit të procedurave ligjore, ai është dorëzuar në Qendrën Korrektuese në Prishtinë për të filluar vuajtjen e dënimit.

Ndërkaq, nga Gjermania është ekstraduar shtetasi E.B., i cili po ashtu kërkohej me urdhër-arrest ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë.

Pas ekstradimit në Kosovë, E.B. është dorëzuar te njësitet përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren për procedura të mëtejshme ligjore.

Ekstradimet janë realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.

Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit dhe hetimit të veprimtarive kriminale, si dhe të gjurmimit dhe arrestimit të personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit./Telegrafi/