
Elon Musk ka shprehur gatishmërinë për ta punësuar Jensen Huang, shefin ekzekutiv të Nvidia-s, në rast se ai largohet nga kompania që themeloi në vitin 1993.
Deklarata e Musk vjen në një kohë kur Huang po përballet me presion lidhur me raportimet për një aferë jashtëmartesore me një grua që dyshohet se ka lidhje me shërbimet kineze të inteligjencës. Këto raportime kanë shkaktuar shqetësime dhe presion mbi aksionet e gjigantit amerikan të mikroçipave.
Musk iu përgjigj një postimi të blogut financiar Zerohedge në platformën X, ku i bëhej thirrje që ta punësonte 63-vjeçarin Huang nëse ai largohet nga Nvidia.
“Do të ishte një nder”, shkroi Musk, i cili drejton Tesla-n dhe SpaceX-in.
Miqësia dhe bashkëpunimi mes dy miliarderëve
Musk dhe Huang njihen prej të paktën një dekade dhe kanë zhvilluar një marrëdhënie të afërt biznesi.
Nvidia furnizon me çipa automjetet Model S dhe Model X të Tesla-s, ndërsa teknologjia e saj përdoret edhe në sistemet e autonomisë së kompanisë dhe në xAI, kompaninë e inteligjencës artificiale të Musk.
Dy sipërmarrësit kanë bashkëpunuar gjithashtu në planet për ndërtimin e qendrave të të dhënave në hapësirë.
Muajin e kaluar, Musk kishte shprehur publikisht vlerësimin për Huang, duke shkruar në X: “Miqtë e vjetër janë miqtë më të mirë”, ndërsa e kishte cilësuar atë si të mrekullueshëm.
Nga ana tjetër, Huang kishte treguar gjatë një paraqitjeje në emisionin The Joe Rogan Experience se Musk ishte klienti i parë i Nvidia-s për superkompjuterin DGX-1 në vitin 2016, kur, sipas tij, askush tjetër nuk e dëshironte atë sistem. Blerja e Musk-ut i kishte dhënë një shtysë të rëndësishme kompanisë së Huang.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali